Seyit Aydoğan
05 Korrik 2018•Përditësim: 06 Korrik 2018
MONTREAL (AA) - Të paktën 33 persona kanë humbur jetën si pasojë e temperaturave të larta ekstreme që përfshinë provincën Quebec të Kanadasë nga 29 qershori, transmeton Anadolu Agency (AA).
Shërbimi Meteorologjik i Kanadasë bëri të ditur përmes një njoftimi se temperaturat në rajonin Montreal javën e fundit kanë lëvizur mes 40 dhe 45 gradë celsius.
Koncentrimet e larta të ozonit që janë rritur si pasojë e temperaturave ekstreme kanë shkaktuar cilësi të keqe të ajrit, duke ndikuar te fëmijët me astmë dhe personat me probleme të frymëmarrjes dhe zemrës, gjendje që është vërejtur në rastet e vdekjes.
Drejtoria Shëndetësore Popullore e Montrealit njoftoi se personat e vdekur nuk kanë pasur kondicionerë në shtëpitë e tyre dhe kanë vuajtur nga probleme shëndetësore.
Siç njoftohet, temperaturat priten të bien nga java e ardhshme.
Ndërkohë, kryeministri kanadaez Justin Trudeau përmes rrjeteve sociale ka publikuar një mesazh ngushëllimi për të vdekurit si pasojë e temperaturave ekstreme.
"Lutjet dhe mendimet e mia janë me të vdekurit në Quebec gjatë valës së ngrohtë të ajrit dhe të dashurit e tyre", ka thënë Trudeau.
Ministria kanadeze e Shëndetësisë dhe Agjencia Popullore e Shëndetit në faqet e tyre të internetit kanë shpalosur udhëzime për mbrojtje nga temperaturat e larta.
Ndërkaq, departamentet e zjarrfikësit dhe policisë në Montreal kanë vizituar mbi 15 mijë shtëpi gjatë javës për të kontrolluar banorët e qytetit. Kryebashkiakja e qytetit, Valerie Plante, ka thënë se do të vazhdojë kontrollin në çdo shtëpi për t'u siguruar që të sëmurët dhe të moshuarit janë në gjendje të mirë.
Ekipet e Bashkisë së Montrealit vazhdojnë të shpërndajnë sasi të mëdha të ujit të ftohtë në rrugët e qytetit, veçanërisht për të pastrehët. Bashkia po ashtu ka zgjatur orarin e punës së pishinave që veprojnë në kuadër të saj për të mundësuar freskimin e banorëve.
Ndryshe, 106 persona kishin humbur jetën nga temperaturat e larta ekstreme që kishin përfshirë provincën Quebec së fundmi në vitin 2010.