Agim Sulaj
31 Gusht 2021•Përditësim: 01 Shtator 2021
Përfshirje më e madhe e grave në procesin e dialogut Kosovë-Serbi me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE), është kërkuar në tryezën e mbajtur në Prishtinë të martën me temë “Gruaja në tryezën negociuese në Kosovë”, raporton Anadolu Agency (AA).
Në këtë tryezë të mbështetur nga Zyra e BE-së në Kosovë, ku morën pjesë përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe vendore, u tha se është koha që tani të kërkohet barazi gjinore në procesin e dialogut Kosovë-Serbi.
Shefi i Seksionit Ligjor, Sundimit të Ligjit dhe të Drejtave të Njeriut, Jarmo Helppikangas, tha se barazia gjinore është proces për të cilin duhet të punohet vazhdimisht.
Ai tha se në Kushtetutën e Kosovës nuk mungon asgjë, por, ajo që mungon shumë shpesh, është implementimi i saj.
“Duhet të merremi me implementimin e legjislacionit në fuqi dhe gjithë këto, pra duhet vetëm të kemi kujdes mbi këtë dhe të mos e harrojmë asnjëherë, sepse, nuk ka një lojë magjie për të bërë, thjeshtë duhet punë e madhe për t’u bërë dhe për t’u përsëritur. Në këtë mënyrë arrihet balancë gjinore në pozicionet ekzekutuese dhe në të gjitha aksionet që shoqëria ndërmerr”, tha Helppikangas.
Përfaqësuesja Speciale e Bashkimit Evropian në Kosovë, Reyes Charle Cuellar, tha se Kosova aktualisht është në rrugë të mbarë sa i përket integrimit të gruas në shoqëri.
Cuellar tha se arsyeja përse mendon që Kosova është në rrugë të mbarë, është për shkak se vendi ka gra nga shoqëria civile që janë një shembull për të tjerët.
Zv.përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), Barrie Lynne Freeman, foli për përvojat personale të saj e rritur në një familje patriarkale. Ajo tha se gratë në Kosovë duhet të bashkëpunojnë më shumë ndërmjet tyre, për të arritur suksese.
Procesi i dialogut të Kosovës me Serbinë që kur ka filluar në vitin 2011 i ishte besuar vetëm një herë një gruaje, megjithëse numri i grave në pozita udhëheqëse në takime të larta shtetërore ka qenë vazhdimisht minimal.