Hajer M'tırı
13 Mars 2018•Përditësim: 13 Mars 2018
STRASBOURG (AA) – Presidenti i Komisionit Evropian (KE), Jean-Claude Juncker, i ka bërë thirrje kryeministres britanike, Theresa May, të japë më shumë qartësi se si Mbretëria e Bashkuar i sheh marrëdhëniet e saj të ardhshme me Bashkimin Evropian (BE), raporton Anadolu Agency (AA).
“Është e qartë se ne kemi nevojë për qartësi të mëtejme nga Mbretëria e Bashkuar nëse duam të arrijmë një mirëkuptim mbi marrëdhëniet tona të ardhshme”, tha Juncker duke iu drejtuar Parlamentit Evropian.
Juncker paralajmëroi se Mbretëria e Bashkuar do të “pendohet” nga vendimi për t’u larguar nga BE-ja, pasi ai u përshëndet me europarlamentarët euroskeptikë ndërsa vuri në dukje se largimi i vendit pritej më 29 mars të vitit 2019.
“Me kalimin e kohës, me një vit për të shkuar, tani është koha për të përkthyer fjalimet në traktate, për të kthyer angazhimet në marrëveshje, sugjerime të gjera dhe dëshira në marrëdhëniet e ardhshme me zgjidhje specifike dhe të realizueshme”, u tha Juncker anëtarëve të Parlamentit Evropian.
Kreu i KE-së tha se çdo marrëdhënie e ardhshme duhet të jetë e qëndrueshme dhe të mos kërkojë rinegociim të vazhdueshëm.
“Unë do të doja më shumë që Britania të mos kishte vendosur të largohet nga BE-ja, por secili që largohet nga BE-ja duhet të dijë, sinqerisht, çfarë do të thotë kjo. Nëse vendosni të ikni, t'i lini prapa rregullat dhe marrëveshjet e përbashkëta, atëherë duhet të pranoni se gjërat nuk mund të mbeten ashtu siç janë”, theksoi Juncker.
Anëtarët e Parlamentit Evropian nesër do të votojnë mbi një rezolutë këshilluese, e cila përcakton rekomandimet e PE-së për një marrëdhënie afatgjate midis Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së para Këshillit të ardhshëm evropian që do të mbahet më 22 dhe 23 mars.