Şerife Çetin
15 Shtator 2023•Përditësim: 15 Shtator 2023
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy javën e ardhshme do të vizitojë Shtëpinë e Bardhë dhe Kongresin Amerikan, transmeton Anadolu.
Zyrtarë amerikanë, të cilët kanë kërkuar të mbeten anonimë, kanë deklaruar se vizita e Zelenskyyt do të zhvillohet pas pjesëmarrjes së tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara që do të mbahet në New York javën e ardhshme.
Sipas zyrtarëve, Zelenskyy do të takohet me presidentin amerikan Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë të enjten e javës së ardhshme.
Kongresi amerikan po diskuton aktualisht një ndihmë shtesë prej 21 miliardë dollarësh për Ukrainën. Disa Republikanë në Kongres theksojnë se ndihma për Ukrainën duhet të ndërpritet dhe duhet të bëhen shkurtime të shpenzimeve në buxhetin federal.
Zelenskyy iu drejtua Kongresit gjatë vizitës së tij në Washington në dhjetor 2022 dhe deklaroi se ndihma e SHBA-së për Ukrainën nuk ishte “donacion”, por investim në “sigurinë globale dhe demokracinë”.