Riyaz Khaliq Khaliq
17 Tetor 2022•Përditësim: 17 Tetor 2022
Japonia nisi hetimet ndaj një grupi fetar të diskutueshëm, Kisha e Unifikimit, në lidhje me vrasjen e ish-kryeministrit japonez Shinzo Abe, transmeton Anadolu Agency (AA).
Hetimi, i udhëhequr nga ministrja e Kulturës, Keiko Nagaoka, vjen pasi ish-kryeministri japonez Shinzo Abe u qëllua për vdekje në korrik nga një i afërm i një anëtari të Kishës së Unifikimit "i cili e kishte mëri dhe besonte se Abe ishte mbështetës i saj".
Kjo ka ngritur një sërë dyshimesh dhe pyetjesh në lidhje me marrëdhëniet midis Partisë Liberale Demokratike (LDP) në pushtet dhe grupit të diskutueshëm që çoi në rënien e mbështetjes të kabinetit të drejtuar nga kryeministri Fumio Kishida.
Kishida në adresimin e tij para Parlamentit të hënën tha se: "Qeveria e ka marrë seriozisht faktin që ka një numër të madh viktimash si dhe varfëri dhe familje të shkatërruara dhe atyre nuk u është ofruar ndihma e duhur".
Hetimi vjen pasi qeveria "pranoi më shumë se 1.700 kërkesa konsultimi deri më 30 shtator përmes shërbimit të saj telefonik të hapur më 5 shtator", tha Kishida, sipas Kyodo News.
Rreth gjysma e deputetëve të LDP-së pretendohet se janë të lidhur me grupin, tani i riemërtuar si Federata Familjare për Paqen dhe Bashkimin Botëror. Hetimi mund të çojë deri në humbjen e statusit të komunitetit fetar në vend.
Madje edhe nëse grupi, i themeluar në Korenë e Jugut në vitin 1954 dhe shpesh i etiketuar si kult, humbet statusin e tij si komunitet fetar, grupi megjithatë do të mund të operojë në Japoni.
Kisha e Unifikimit akuzohet se ka detyruar ndjekësit të japin donacione financiare për grupin, duke u angazhuar në dasma masive dhe "shitje shpirtërore". Ndjekësit janë nën presion për të blerë kavanoza dhe sende të tjera "me çmime ekstreme duke përdorur kërcënime dhe duke përfshirë përmendjen e "karmës stërgjyshore".
Nagaoka, e cila gjithashtu mban portofolet e arsimit, sportit, shkencës dhe teknologjisë, tha se ministria e saj "është e prirë të fillojë hetimet sa më shpejt të jetë e mundur".
“Një panel ekspertësh për këtë çështje pritet të fillojë shqyrtimin e detajeve të hetimit që më 25 tetor”, tha ajo.
Një panel ekspertësh në Agjencinë e Çështjeve të Konsumatorit të Japonisë të hënën i kërkoi qeverisë "të ushtrojë autoritetin e saj për të hetuar organizatën".
Sugjerimi erdhi pasi agjencia mori shumë "ankesa në lidhje me Kishën e Unifikimit që supozohet se kërkon donacione të mëdha nga ndjekësit e saj që i shtyjnë ata deri në pikën e shkatërrimit financiar" - një pretendim që vrasësi i Abe-s, Tetsuya Yamagami, e kishte bërë gjithashtu.
Yamagami, 41-vjeç, kishte thënë se familja e tij "u shkatërrua financiarisht pasi nëna e tij dha donacione të mëdha për kishën".