Hüseyin Erdoğan
22 Qershor 2017•Përditësim: 23 Qershor 2017
ANKARA (AA) - Me rritje prej 290 për qind, vitin e kaluar Japonia u bë vendi me rritjen më të madhe në konsumin e energjisë elektrike të fituar nga energjia bërthamore krahasuar me vitin paraprak. Sasia e konsumuar e energjisë elektrike të fituar nga energjia bërthamore në Japoni në vitin 2016 arriti në nivel ekuivalent me katër milionë tonë naftë.
Sipas të dhënave të përpiluara nga Anadolu Agency (AA) në bazë të "Raportit Statistikor të Energjisë të BP-së të vitit 2017", vitin e kaluar 4,4 për qind e konsumit total të energjisë elektrike në botë është mundësuar nga energjia bërthamore. Sasia e energjisë elektrike të prodhuar nga centralet bërthamore është rritur për 1,3 për qind krahasuar me një vit më parë, duke arritur nivelin ekuivalent me 592 milionë e 100 mijë tonë.

Ndërkaq, Japonia, e cila fillimisht zvogëloi kurse më pas në vitin 2014 e ndaloi tërësisht prodhimin e energjisë bërthamore pas aksidentit në centralin bërthamor të Fukushimës, në vitin 2015 sërish aktivizoi centralet e saj bërthamore.
Vendi që vitin e kaluar ka shënuar rritjen më të madhe në konsumin energjisë elektrike të siguruar nga energjia bërthamore krahasuar me një vit më parë është Japonia. Me rritje prej 290 për qind, Japonia është ngritur në nivelin ekuivalent me katër milionë tonë naftë.
Japonia ndiqet nga Irani me rritje 75,3 për qind, Belgjika me 66,3 për qind, Afrika e Jugut me 29,7 për qind dhe Kina me 24,5 për qind.
Tajvani zvogëlon konsumin e energjisë së fituar nga energjia bërthamore
Sipas raportit, Tajvani është vendi që në vitin 2016 më së shumti ka zvogëluar konsumin e energjisë elektrike të fituar nga energjia bërthamore, me reduktim për 13,4 për qind. Sasia e konsumit në këtë vend është vlerësuar ekuivalente me shtatë milionë e 200 mijë tonë naftë.
Vende të tjera të cilat kanë reduktuar konsumin e energjisë elektrike të siguruar nga energjia bërthamore janë edhe Çekia me rënie për 10,4 për qind, Meksika me 9 për qind, Zvicra me 8,7 për qind dhe Franca me 8,1 për qind.
SHBA sërish e para në konsum
Konsumi më i madh i energjisë elektrike të fituar nga energjia bërthamore në vitin 2016 është realizuar në SHBA, e cila ka konsumuar energji të tillë në vlerë ekuivalente me 191 milionë e 800 mijë tonë naftë. Vetëm SHBA-të kanë konsumuar 32,4 për qind të energjisë elektrike në botë që prodhohet nga energjia bërthamore.
SHBA-të ndiqen nga Franca me 15,4 për qind dhe Kina me 8,1 për qind, Rusia me 7,5 për qind dhe Koreja e Jugut me 6,2 për qind pjesëmarrje në konsumin global të energjisë elektrike të fituar nga energjia bërthamore.