Politikë, Bota

Japonia dhe Koreja e Jugut bisedojnë për përmirësimin e marrëdhënieve

Kryeministri i sapozgjedhur japonez, Suga zhvilloi bisedën e tij të parë telefonike me presidentin koreanojugor, Moon Jae-in, me qëllim të rivendosjes së marrëdhënive dypalëshe

Riyaz Khaliq  | 24.09.2020 - Përdıtësım : 24.09.2020
Japonia dhe Koreja e Jugut bisedojnë për përmirësimin e marrëdhënieve

Ankara

Kryeministri i ri i Japonisë, Yoshihide Suga zhvilloi sot bisedë telefonike me presidentin e Koresë së Jugut, Moon Jae-in për përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe mes dy vendeve, transmeton Anadolu Agency (AA).

Suga zhvilloi bisedën e tij të parë telefonike me presidentin koreanojugor me qëllim të rivendosjes së marrëdhënieve dypalëshe.

Marrëdhëniet mes Japonisë dhe Koresë së Jugut arritën në nivele të ulta për shkak të çështjeve të skllavërisë së kohës së luftës, ndërsa gjykatat e Koresë së Jugut kërkuan dëmshpërblim nga kompanitë japoneze. Por, Tokioja tha se çështja është zgjidhur shumë kohë më parë.

"I takon Seulit të marrë hapa për të zgjidhur grindjen diplomatike rreth çështjes së luftës", i tha Suga presidentit koreanojugor Moon, njofton agjencia japoneze e lajmeve Kyodo. Telefonata zgjati 20 minuta.

Kjo është hera e parë në nëntë muaj që udhëheqësit e të dy vendeve kanë zhvilluar bisedime të drejtpërdrejta mes tensioneve dypalëshe.

Dhjetorin e kaluar, kryeministri i atëhershëm japonez, Shinzo Abe u takua me Moon në Chengdu të Kinës.

Suga u zgjodh në postin më të lartë ekzekutiv të Japonisë më 16 shtator.

Sipas agjencisë së lajmeve të Koresë së Jugut, Yonhap, Moon pranoi se të dyja palët kanë qëndrime të ndryshme për çështjen e viktimave të Koresë së Jugut lidhur me punën e detyruar gjatë Luftës së Dytë Botërore nga Japonia.

Udhëheqësi japonez kërkoi që Koreja e Jugut të bëjë hapa drejt "kthimit në marrëdhënie konstruktive", tha një zyrtar.

Presidenti i Koresë së Jugut sugjeroi që të dyja palët "të përshpejtojnë përpjekjet e komunikimit për të zgjidhur çështjet në pritje".

Në tetor 2018, një gjykatë në Korenë e Jugut urdhëroi prodhuesin e çelikut japonez të dëmshpërblejë katër koreanë për punën gjatë sundimit kolonial të Japonisë mbi Gadishullin Korean.

Tokioja nuk pranoi të respektojë vendimin e gjykatës, duke thënë se me marrëveshjen e vitit 1965 midis Japonisë dhe Koresë së Jugut i është dhënë fund kësaj çështjeje.

Si kundërpërgjigje, Japonia kufizoi eksportet e një materiali thelbësor industrial në Korenë e Jugut, duke goditur industrinë e teknologjisë së vendit.

Pas paktit të vitit 1965, Japonia i dha Seulit ndihmë financiare sipas marrëveshjes "duke lënë të kuptohet se çështja e kompensimit do të zgjidhej plotësisht dhe përfundimisht", raporton Kyodo News.

Pas thirrjes telefonike, Suga u tha mediave se ai do të vazhdojë të "nxisë me forcë Korenë e Jugut të marrë masat e duhura".

Megjithatë, shtoi ai: "Japonia dhe Koreja e Jugut janë fqinj jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe ne duhet të punojmë së bashku, si dhe me SHBA-të për të trajtuar çështjet, përfshirë Korenë e Veriut".

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.