Esat Fırat
24 Tetor 2019•Përditësim: 25 Tetor 2019
Pas më shumë se nëntë muajve në paraburgim, autoritetet izraelite liruan fotoreporterin e Anadolu Agency (AA) Mustafa Kharouf.
Kharouf u la i lirë pasi autoritetet izraelite nuk arritën ta deportojnë atë nga territori palestinez.
Deri sot në mëngjes, prokuroria izraelite u përpoq ta bllokojë lirimin e Kharouf, por përpjekja e tillë dështoi.
Avokatja e tij, Ady Lustigman, tha për AA se Ministria e Brendshme izraelite u përpoq ta mbante atë në burg, por gjykata e apelit e burgut kundërshtoi kërkesën e ministrisë.
Sipas Lustigman, familja e Kharouf-it u pagoi kaucion autoriteteve izraelite të imigracionit.
Ajo shtoi se prokuroria izraelite i ka dhënë fotoreporterit Kharouf një periudhë 21-ditore për "bashkim familjar", e cila mund të zgjatet.
Gjithashtu, ajo theksoi se "Kharouf është ende i kërcënuar nga deportimi dhe ndalimi përkundër lirimit të tij".
"Ne do të vazhdojmë ta mbrojmë atë me të gjitha mjetet ligjore për të parandaluar deportimin e tij", tha ajo.
Ndërkaq, bashkëshortja e Kharouf-it, Temam, tha se ndaj tij është bërë një padrejtësi e madhe.
"Ai nuk ka atdhe tjetër përpos Kudsit. Jetoi, u rrit, u shkollua dhe punoi në Kuds. Të gjitha këto përpjekje për dëbimin e tij ishin një zullum për ne dhe për të", tha Temam.
Policia izraelite arrestoi Kharouf-in më 22 janar të këtij viti dhe e vendosi në Burgun Giv'on, nga i cili deportohen punëtorët e paligjshëm.
Prokuroria izraelite bën thirrje për dëbimin e Kharouf-it nga territoret palestineze, megjithëse ai dhe të gjithë anëtarët e familjes së tij kanë jetuar në Kuds prej 20 vitesh.
Autoritetet e Izraelit thonë se Kharouf, i cili jeton në Kuds me familjen e tij që kur ishte 12 vjeç, ka lindur në Algjeri.
Për 20 vitet e fundit, autoritetet izraelite vazhdimisht kanë refuzuar t'i japin Kharouf-it një leje afatgjate qëndrimi, duke e detyruar atë të rinovojë vizën turistike çdo vit.
Bashkëshortja e tij ka "kartë identifikimi të Kudsit", ndërsa viteve të kaluara Kharouf nuk ka arritur të gjejë zgjidhje as përmes aplikimeve për "bashkim familjar".