Kaamil Ahmed
13 Nëntor 2017•Përditësim: 14 Nëntor 2017
JERUSALEM (AA) – Izraeli ka arrestuar një udhëheqës të grupit palestinez “Xhihadi Islamik” në Bregun Perëndimor të pushtuar, njoftoi ushtria izraelite përderisa tensionet mes dy palëve vazhdojnë të rriten, transmeton Anadolu Agency (AA).
Arrestimi i drejtuesit të lartë të "Xhihadit Islamik", të cilin grupi e identifikoi si 47 vjeçari Tareq Qa’adan, erdhi pasi Izraeli kërcënoi se do t’i përgjigjej një sulmi që besonte se grupi ishte duke planifikuar si përgjigje ndaj Izraelit për shkatërrimin e një prej tuneleve ndërkufitare dy javë më parë, duke vrarë 10 luftëtarë të grupit dhe dy të tjerë që i përkisnin Hamas-it.
“Ne jemi të vetëdijshëm për komplotin që grupi terrorist i ‘Xhihadit Islamik Palestinez’ planifikon kundër Izraelit, duke luajtur me zjarr në kurriz të të gjithë banorëve të Gazës”, tha gjeneral major Yoav Mordechai, kreu i Autoritetit ushtarak izraelit në territoret e okupuara palestineze. Ai paralajmëroi se Izraeli do të jepte një përgjigje “të ashpër dhe të vendosur” që do të ketë objektiv liderët në Damask të "Xhihadit Islam", si dhe lëvizjen e Hamas-it, që ka drejtuar Gazën për dekadën e fundit.
Udhëheqësi i lartë i "Xhihadit Islamik", Khaled al-Batsh, të dielën tha se vdekja e luftëtarëve të saj “nuk do të mbetet pa u ndëshkuar”. “Llogaria jonë me ta nuk do të mbyllet, përveç se me përgjigje”, tha ai.
OKB-ja gjithashtu shprehu shqetësimin e saj për kërcënimin e një sulmi të afërt të "Xhihadit Islamik" dhe për pasojat e mundshme, veçanërisht në një proces të vazhdueshëm të pajtimit midis fraksioneve kryesore palestineze Fatah dhe Hamas, për ta kthyer Gazën nën kontrollin e autoritetit palestinez të njohur ndërkombëtarisht.
“Veprimet e pakujdesshme dhe deklaratat e militantëve në Gaza rrezikojnë një përshkallëzim të rrezikshëm. Palestinezët kanë nisur një rrugë për të zgjidhur krizën humanitare në Rripin e Gazës dhe për të kthyer autoritetet legjitime dhe nuk duhet të shpërqendrohen nga ekstremistët”, ka shkruar Nicolay Mladenov, i dërguari i OKB-së për procesin e paqes në Lindjen e Mesme.