Moustafa Maged Haboosh,Hacer Başer
01 Janar 2019•Përditësim: 02 Janar 2019
GAZA (AA) - Forcat izraelite kanë arrestuar dy peshkatarë palestinezë në ujërat e Rripit të Gazës, raporton Anadolu Agency (AA).
Nizar Ajash, kryetari i Sindikatës palestineze të peshkatarëve, në deklaratën për AA konfirmoi se forcat detare izraelite kanë hapur zjarr drejt varkës së peshkatarit palestinez Isa esh-Sherafi (73) dhe djalit të tij Basil (31), dhe më pas kanë arrestuar të dy peshkatarët.
Ai theksoi se palestinezët e arrestuar nuk kanë tejkaluar kufirin prej 6 miljesh të cilin Izraeli e lejon.
- Kufiri në Marrëveshjen e Oslos është 20 milje
Sipas marrëveshjes mes Izraelit dhe Organizatës për Çlirimin e Palestinës të realizuar në Oslo në vitin 1993, palestinezët kanë të drejtë të lëvizin lirisht deri në 20 milje. Por Izraeli vazhdimisht pengon peshkatarët palestinezë duke shkelur këtë marrëveshje.
Sipas statistikave të sindikatës së peshkatarëve rreth 50 mijë njerëz në këtë rajon ushqehen nga 4 mijë peshkatarë.
Izraeli që nga viti 2006 është duke e mbajtur nën rrethim nga toka, ajri dhe deti Rripin e Gazës ku jetojnë rreth 2 milionë palestinezë.