Mustafa Deveci
17 Gusht 2021•Përditësim: 17 Gusht 2021
Ka tejkaluar mbi 8.600 numri i rasteve ditore me koronavirusin e ri (COVID-19) në Izrael, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ministria e Shëndetësisë njoftoi se në 24 orët e fundit janë regjistruar 8.646 raste me COVID-19 ndërsa 26 persona e kanë humbur jetën nga ky virus.
Në këtë mënyrë, numri i përgjithshëm i viktimave në vendin me rreth 9.3 milion banorë, shkoi në 6.694 ndërsa numri i rasteve u rrit në 951.225.
Numri i rasteve aktive tejkaloi 55 mijë ndërsa 559 pacientë janë në gjendje të rëndë.
Në deklaratë thuhet se numri i rasteve të zbuluara në ditën e fundit është numri më i lartë i rasteve ditore të regjistruara nga 1 shkurti e deri tani.
Izraeli në muajt e kaluar falë vaksinimit arriti të vë nën kontroll pandeminë ndërsa më 19 prill hoqi detyrimin për vendosjen e maskave në ambiente të mbyllura dhe më 15 qershor në ambiente të hapura.
Në fillim të qershorit, numri i rasteve aktive kishte rënë deri në 200 ndërsa numri i rasteve ditore nën 20.
Për shkak të rritjes së rasteve, më 25 qershor Izraeli vendosi sërish mbajtjen e detyrueshme të maskave në ambiente të mbyllura.