Yasin Yorgancı
05 Gusht 2025•Përditësim: 06 Gusht 2025
Gjykata e Lartë e Brazilit vendosi dënimin me arrest shtëpie ndaj ish-presidentit Jair Bolsonaro, i cili akuzohet për tentativë për grushti shteti, transmeton Anadolu.
Lidhur me gjyqin ndaj ish-presidentit brazilian Bolsonaro janë shënuar zhvillime. Gjykata e Lartë pasi i vendosi Bolsonaros byzylyk elektronik në këmbë dhe i ndaloi daljen në rrugë muajin e kaluar, ajo tani e ka dënuar atë me arrest shtëpiak.
Gjyqtari i gjykatës, Alexandre de Moraes, lëshoi urdhrin e arrestit shtëpiak me arsyetimin se Bolsonaro shkeli masat paraprake të vendosura ndaj tij duke ndarë në llogaritë e tij në mediat sociale një video të tre djemve të tij, të cilët janë deputetë të parlamentit.
Për shkak të këtij vendimi, Bolsonaro do të ketë të drejtë vetëm të takohet me anëtarët e familjes dhe avokatët e tij, dhe të gjithë telefonat celularë në shtëpinë e tij do të konfiskohen, theksohet më tej.
- Ngjarjet në Brazil
Në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Brazil të mbajtura më 30 tetor 2022, presidenti i krahut të majtë Luiz Inacio Lula da Silva rrëzoi nga pushteti ish-presidentin e ekstremit të djathtë Bolsonaro. Lula da Silva fitoi zgjedhjet dhe u betua në parlament më 1 janar 2023.
Pas shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve, mbështetësit e Bolsonaros fillimisht organizuan bllokada në autostrada në të gjithë vendin që zgjatën me ditë të tëra. Më 8 janar 2023, ata sulmuan ndërtesën e Kongresit Kombëtar, duke brohoritur me slogane dhe duke thyer barrierat e policisë kërkuan ndërhyrje ushtarake.
Më 26 nëntor 2024, Policia Federale e Brazilit pretendoi se Bolsonaro ishte përfshirë në një komplot për grusht shteti kundër qeverisë së Lula da Silva-s. Më 26 mars, Gjykata Supreme Federale e Brazilit pranoi unanimisht aktakuzën e prokurorit kundër shtatë personave, përfshirë Bolsonaron.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, në një postim në llogarinë e tij në "Truth Social", shprehu mbështetjen e tij për Bolsonaron, duke thënë "Brazili po bën diçka të tmerrshme në trajtimin e ish-presidentit Jair Bolsonaro".