Ata Ufuk Şeker
04 Nëntor 2017•Përditësim: 04 Nëntor 2017
BRUKSEL (AA) - Ish-kreu i administratës autonome të Katalonjës, Carles Puigdemont, tha se do të sillet në përputhje me sistemin e drejtësisë së Belgjikës, ku ai është larguar pas referendumit të paligjshëm mbi pavarësinë, dhe sipas tij nuk do të mund të gjykohet në mënyrë të drejtë në Spanjë, e cila ka lëshuar urdhër ndërkombëtar për arrestimin e tij, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Nuk do të largohem nga drejtësia. Unë do të shkoj tek autoritetet e drejtësisë, por tek autoritetet e drejtësisë së vërtetë. Avokatit tim i kam shprehur se jam i gatshëm për një bashkëpunim të plotë me autoritetet belge të drejtësisë", është shprehur Puigdemont, duke folur për transmetues publik RTBF të Belgjikës.
Duke pretenduar se "është shumë e qartë se janë të politizuar" autoritetet spanjolle të drejtësisë, Puigdemont, ka vlerësuar se "Në Spanjë, politika ka efekte të mëdha në gjyqësor. Në Spanjë nuk ka siguri të mjaftueshme për t'u gjykuar në mënyrë të drejtë dhe të paanshme."
Carles Puigdemont, ka pretenduar se është e gabuar burgosja e krerëve të grupeve të qytetarëve që nuk kanë përdorur dhunë. Pasi ka mbrojtur idenë e tij se nuk është normale që të jetohet nën rrezikun e dënimit me 30 vite burg për shkak se ke zbatuar premtimet ndaj votuesve, ish-lideri i Katalonjës është shprehur se "Kjo është jashtëzakonisht barbare. Për të folur për demokracinë ju duhet të ndiqni rregullat e saj."
Spanja, për shkak të roleve në shpalljen e pavarësisë së njëanshme, duke i akuzuar për "rebelim kundër shtetit, kryengritjes dhe keqpërdorim të pronës publike", ka lëshuar një urdhër arresti për Puigdemont dhe 4 ish-ministra.
Ndërkohë këtë urdhër arresti evropian e ka konfirmuar edhe prokurori federal belg, Eric Van Der Sijpt, i cili ka theksuar se "Pasi ta shqyrtojmë vendimin, do t'ia dërgojmë gjykatësit. Kjo mund të bëhet, nesër, madje edhe ditën e hënë, nuk e kemi me nxitim."
Çfarë është urdhër arresti evropian?
Një urdhër arresti evropian përkufizohet si një urdhër gjyqësor i lëshuar nga një shtet anëtar i BE-së drejtuar një shteti tjetër anëtar, për të arrestuar dhe dorëzuar dikë, me qëllim që të sigurohet zbatimi i procedurës për ndjekjen penale, dënimet ose urdhër arrestimet.
Vendimi, i cili ka hyrë në fuqi në vitin 2004, synon të lehtësojë sistemin e kthimit (ekstradimit) në mes anëtarëve të BE dhe të minimizojë efektet e mekanizmave vendimmarrës politikë në proces.
Vendet e BE-së janë duke marrë mijëra urdhër arreste çdo vit në të gjithë Evropën