İnci Gündağ,Tayfun Salcı
13 Dhjetor 2016•Përditësim: 13 Dhjetor 2016
LONDËR (AA) - Ish-lideri i Bashkimit Sovjetik, Mihail Gorbaçov (Mikhail Gorbachev) ka deklaruar se "Jam i sigurtë që mediat perëndimore kanë marrë urdhër për përdhosjen e figurës së Vladimir Putinit", transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një intervistë për BBC, Gorbaçov duke folur për arsyen e dorëheqjes së tij 25 vite më parë u shpreh: "Ishim duke shkuar drejt luftës civile. Një konflikt i tillë në vendin tonë ku prania e armëve ishte tepër e lartë mund të çonte në vdekjen e shumë njerëzve. Nuk mund të lejoja një gjë të tillë vetëm për të qëndruar në pushtet."
Ndërsa pyetjes nëse e shikon ai veten si përgjegjës për shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik, Gorbaçov i është përgjigjur: "Ajo që më ka mërzitur mua është fakti që populli nuk kuptoi sa duhet se çfarë bëja, çfarë doja të bëja dhe në çfarë rruge isha unë. Perestroika (Riformatimi i sistemit politik dhe ekonomik), hapi rrugën e Rusisë për bashkëpunimet ndërkombëtare dhe të paqes. Jam shumë i mërzitur për shkak se nuk arrita të shoh fundin e rrugës. Ajo që ndodhi në Bashkimin Sovjetik ishte krejtësisht drama ime. Ishte një dramë për çdo person që jetonte në Bashkimin Sovjetik."
Pyetjes nëse është e kërcënuar liria në Rusinë e sotme, ai u përgjigj: "Duhet të jemi të qartë në këtë çështje. Për disa persona liria është shumë e keqe. Nuk ju vjen mirë atyre", thotë Gorbaçov dhe pasi u pyet se nëse është duke folur për Putinin shton se duhet të imagjinojnë se për kë është duke folur.
Gorbaçov akuzoi Perëndimin se po provokon Rusinë dhe më pas shtoi: "Jam i bindur që mediat perëndimore duke përfshirë edhe juve si BBC, keni marrë ndonjë urdhër për përdhosjen e figurës së Putinit. Jo për ta eliminuar atë fizikisht, por për ta distancuar atë. Por në saje të kësaj Putin jo vetëm se nuk humbi terren, por e çoi popullaritetin në 86 për qind. Së afërmi do të bëhet 120 për qind."
Ndërkohë BBC intervistën me Gorbaçov e ka publikuar duke tërhequr vëmendjen tek shprehja: "Personi që ndihmoi për përfundimin e Luftës së Ftohtë tani kritikon Perëndimin."
Lideri i fundit i Bashkimit Sovjetik, Gorbaçov u takua me Presidentin e SHBA-së së asaj kohe George Bush, në Maltë më 3 dhjetor 1989 ku dhe deklaroi zyrtarisht se Lufta e Ftohtë kishte marrë fund.