Bota

Irlanda mban zgjedhjet presidenciale

Kandidatja e pavarur Catherine Connolly është treguar se mban epërsi, sipas sondazheve të fundit të opinionit publik

Melike Pala  | 24.10.2025 - Përdıtësım : 25.10.2025
Irlanda mban zgjedhjet presidenciale

Bruksel

Irlanda sot po mban zgjedhjet presidenciale, me mbi 3.6 milionë qytetarë të kualifikuar për të votuar në më shumë se 5.500 qendra votimi në mbarë vendin, transmeton Anadolu.

Sipas mediave vendase, qendrat e votimit u hapën në orën 7 të mëngjesit me kohën lokale dhe do të qëndrojnë të hapura deri në orën 10 të mbrëmjes.

Gjithsej tre kandidatë janë nominuar zyrtarisht për postin e presidentit.

Jim Gavin nga "Fianna Fail", Heather Humphreys nga "Fine Gael" dhe kandidatja e pavarur Catherine Connolly janë në listën e votimit. Megjithatë, Gavin u tërhoq nga gara pas mbylljes së nominimeve, që do të thotë se emri i tij mbetet në fletën e votimit dhe çdo votë për të do të numërohet e më pas do të rishpërndahet sipas sistemit zgjedhor të Irlandës.

Votuesit duhet të rendisin kandidatët sipas preferencës, një, dy ose tre, në bazë të sistemit të përfaqësimit proporcional të njohur si "vota e transferueshme e vetme".

Nëse asnjë kandidat nuk arrin kuotën e nevojshme, kandidati me më pak vota eliminohet dhe votat e tij transferohen sipas preferencave të tjera të votuesve.

Për dhjetëra mijëra qytetarë, këto zgjedhje shënojnë herën e parë që hedhin votën e tyre.

Një sondazh i publikuar të enjten tregoi se Connolly gëzon 40 për qind mbështetje krahasuar me 25 për qind për rivales së saj Humphreys, ish-ministre kabineti. Me përjashtimin e votave të pavlefshme dhe votuesve të pavendosur, mbështetja për Connolly rritet në 55 për qind kundrejt 35 për qind për Humphreys.

Dy sondazhe të mëparshme gjatë javës gjithashtu i dhanë Connollyt, 68 vjeç, një epërsi të madhe në garën për të pasuar Michael D. Higginsin, i cili ka përfunduar dy mandate shtatëvjeçare si president dhe nuk mund të kandidojë për një të tretë.

Numërimi i votave do të fillojë të shtunën në mëngjes.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.