Bota

Irani thotë se bisedimet e fundit me Arabinë Saudite ishin 'pozitive'

Në një telefonatë me homologun e tij irakian Fuad Hussain, Amir-Abdollahian ka thënë se Teherani mirëpret rezultatin e bisedimeve iranio-saudite në Bagdad

Mohammed Hamood Ali Al Ragawi  | 16.06.2022 - Përdıtësım : 16.06.2022
Irani thotë se bisedimet e fundit me Arabinë Saudite ishin 'pozitive'

Teheran

Ministri i Jashtëm iranian Hossein Amir-Abdollahian sot e përshkroi si “pozitiv” raundin e fundit të bisedimeve midis vendit të tij dhe rivalit rajonal, Arabisë Saudite, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një telefonatë me homologun e tij irakian Fuad Hussain, Amir-Abdollahian ka thënë se Teherani mirëpret rezultatin e bisedimeve iranio-saudite në Bagdad, njoftoi agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve Mehr.

Kryediplomati iranian tha se Iraku synon të vazhdojë përpjekjet për të lehtësuar bisedimet midis rivalëve rajonalë për të ndihmuar të dy vendet të rivendosin marrëdhëniet e tyre normale.

Që nga viti 2021, Bagdadi ka qenë mikpritës i bisedimeve midis Riadit dhe Teheranit për t'i dhënë fund përçarjes së tyre diplomatike dhe për të arritur një mirëkuptim mbi konfliktin në Jemen dhe dosjen bërthamore të Iranit.

Irani dhe Arabia Saudite ndërprenë marrëdhëniet diplomatike në janar 2016 pas një sulmi në ambasadën saudite në Teheran pasi kleriku shiit Nimr al-Nimr u ekzekutua nga autoritetet saudite.

Marrëdhëniet midis dy rivalëve u përkeqësuan më tej pasi Irani në shtator 2016 akuzoi Riadin se shkaktoi qëllimisht vdekjen e rreth 400 pelegrinëve iranianë në një rrëmujë të vitit 2015 në qytetin e shenjtë musliman të Mekës.

Që atëherë, të dy palët janë përfshirë në një rivalitet të fortë rajonal, duke akuzuar shpesh njëra-tjetrën se po zhvillojnë luftë të deleguar (proxy) për ndikim rajonal.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın