Ekip
13 korrik 2020•Përditësim: 13 korrik 2020
Në 5-vjetorin e marrëveshjes bërthamore midis Teheranit dhe fuqive botërore, Ministria e Punëve të Jashtme e Iranit tha se vendi nuk po përballet me ndonjë "kufizim operacional" në programin bërthamor, transmeton Anadolu Agency (AA).
Duke folur para gazetarëve, zëdhënësi i Ministrisë iraniane të Jashtme, Sayed Abbas Mousavi, tha se Irani po bën "përparim të qëndrueshëm" në pasurimin bërthamor pas reduktimit të angazhimeve nga marrëveshja e vitit 2015, e njohur po ashtu si JCPOA.
Mousavi tha se programi bërthamor iranian po "ecën përpara" nën kujdesin e Organizatës së Energjisë Atomike të Iranit (AEOI), si dhe në përputhje me mbikëqyrjen bërthamore të OKB-së (IAEA) për mbrojtjen e angazhimeve dhe zbatimin vullnetar të protokollit shtesë.
Sipas marrëveshjes bërthamore, Iranit iu kërkua të kufizojë aktivitetet bërthamore dhe të lejojë inspektimet ndërkombëtare të vendndodhjeve bërthamore, në këmbim të heqjes së sanksioneve ekonomike.
Teherani u lejua që deri në vitin 2026 të instalonte vetëm 5.060 centrifugë në objektin e tij kryesor bërthamor në Natanz dhe rezerva e uraniumit po ashtu u reduktua me 98 për qind.
Megjithatë, pas tërheqjes së njëanshme të SHBA-ve nga marrëveshja në muajin maj të vitit 2018, Irani gradualisht filloi të minimizojë detyrimet që kishte në bazë të marrëveshjes.
Në janar, Irani njoftoi se nuk e konsideron veten të detyruar nga kufizimet në programin e saj bërthamor, duke u kthyer në skemën e pasurimit bërthamor para vitit 2015.
Në gjashtë muajt e fundit, Irani gradualisht ka rritur procesin e pasurimit të uraniumit, duke theksuar se është "i kthyeshëm" në varësi të veprimeve të nënshkruesve të JCPOA-së për të shpëtuar marrëveshjen.
Muajin e kaluar, mbikëqyrësi bërthamor i OKB-së, IAEA, detajoi mënyrat në të cilat Irani kishte "tejkaluar kufijtë" për të cilën ra dakord nën marrëveshjen e vitit 2015, duke i bërë thirrje Teheranit të "bashkëpunojë plotësisht" me hetimin e IAEA-së për "aktivitetin bërthamor të raportuar" në dy vendndodhjet e saj bërthamore.
Irani reagoi ashpër ndaj rezolutës, duke theksuar se nuk do të lejojë hyrjen në IAEA mbi "pretendime të pabaza" dhe as të tërhiqet nga "pozicionet e saj parimore". Vendi po ashtu u zotua për një "marrëveshje të përshtatshme".
Përderisa Irani pretendon se programi bërthamor është i "natyrës plotësisht paqësore", administrata amerikane thotë se vendi është i përfshirë në "zgjerimin e përhapjes" për të prodhuar armë bërthamore.
Në muajin maj, Departamenti Amerikan i Shtetit u dha fund lehtësimeve nga sanksionet që përfshin të gjitha projektet bërthamore të lidhura me JCPOA-n dhe sanksionoi disa zyrtarë të lartë iranianë.