Haydar Şahin
07 Tetor 2022•Përditësim: 07 Tetor 2022
Qeveria e Iranit njoftoi se pikat që u përkasin organizatave opozitare u goditën me raketa në rajonet kufitare të provincës së Azerbajxhanit Perëndimor në veriperëndim të vendit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në lajmin e transmetuar në televizionin shtetëror iranian, thuhej se njësitë e Gardës Revolucionare qëlluan me raketa në rajonet kufitare të provincës së Azerbajxhanit Perëndimor në orët e mëngjesit në pikat ku ishin strehuar "grupet terroriste separatiste".
Në lajm nuk u dha asnjë informacion i qartë nëse pikat e goditura nga raketat ishin në Iran apo Irak.
- Ministri i Jashtëm iranian bisedë telefonike me homologun e tij irakian
Në një deklaratë me shkrim të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Iranit thuhet se ministri i Jashtëm, Hossain Emir Abdullahiyan ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e tij irakian, Fuad Hussein.
Abdullahiyan i tha ministrit të Jashtëm irakian Hussein se vazhdimi i akteve të "sulmit dhe terrorit" të grupeve që strehohen në zonat nën kontrollin e Qeverisë Rajonale Kurde të Irakut (KRG) dhe që synojnë sigurinë kombëtare të Iranit nuk do të tolerohet.
Më 24 shtator, 28 shtator dhe 1 tetor, Irani nisi sulmet me raketa dhe mjete ajrore pa pilot ndaj selisë së organizatave Komele, KDP dhe PAK në veri të Irakut. Nga sulmet u plagosën dhe u vranë civilë irakienë.