Selen Temizer
15 mars 2017•Përditësim: 16 mars 2017
ASTANA (AA) - Ka përfunduar takimi i tretë me temë Sirinë i cili u mbajt në kryeqytetin Astana të Kazakistanit. Palët janë dakordësuar që krahas Turqisë dhe Rusisë edhe Irani të jetë garantues i armëpushimit, raporton Anadolu Agency (AA).
Zv/ministri i Jashtëm i Kazakistanit Akilbek Kamaldinov në hotel Rixos, ka lexuar deklaratën e mbylljes së takimit të tretë në Astana i zhvilluar me pjesëmarrjen e delegacioneve të Turqisë, Rusisë dhe të Iranit.
Kamaldinov, ka njoftuar se është vendosur që krahas Turqisë dhe Rusisë edhe Irani të jetë zyrtarisht garantues i armëpushimit.
Ai vuri në dukje se palët në takimin dy ditorë gjatë bisedimeve dy-trepalëshe kanë diskutuar mbi çështjen e forcimit të armëpushimit. "Palët kanë theksuar vendosmërinë në çështjen e forcimit të armëpushimit. Janë dakordësuar për raportimin ndaj njëri tjetrit për shkeljet e armëpushimit, mundësimin e pakësimit të numrit të shkeljeve si dhe për të rritur efektivitetin e mekanizmit vëshgues trepalësh", tha Kamaldinov.
Ndër të tjera është vendosur që të punohet në mbrojtjen e veprave historike në Siri që ndodhen në listën e treshëgimisë botërore të UNESCO-s.
Më tej Kamaldinov tha se takimet në Astana do të vazhdojnë në mënyrë për të mbështetur procesin politik në Gjenevë. Sipas tij, takimi i katërt në Astana do të zhvillohet më 3-4 maj, ndërsa paraprakisht më 17-19 prill do të zhvillohet takimi përgatitor në Teheran.
Opozita ushtarake pas vazhdimit të shkeljeve intensive të armëpushimit nga forcat e regjimit nën garantimin e Rusisë kishte marrë vendimin për mos pjesëmarrje në takimin e tretë në Astana. Opozitarët të cilët mbrëmë vendosën të dërgonin një delegacion të vogël në Astana, në një vlerësim të mëvonshëm ndryshuan mendimin.
Marrëveshja e armëpushimit u arrit në Siri më 30 dhjetor 2016 nën garancinë e Turqisë dhe Rusisë. Për shkak të shkeljeve të shumta të armëpushimit palët nën udhëheqjen e Turqisë dhe Rusisë vendosën të takohen në Astana më 23-24 janar.
Më pas delegacionet e Turqisë, Rusisë, Iranit, OKB-së, opozitarëve dhe të regjimit vendosën për forcimin e armëpushimit me ç'rast u dakordësuan për ngritjen e një mekanizmi trepalësh. Në takimin ku morën pjesë vetëm vendet garantuese më 6 shkurt u diskutua në lidhje me detajet teknike të mekanizmit për monitorimin e marrëveshjes së arritur për armëpushim në Siri. Ndërsa takimi i dytë në Astana u zhvillua më 15-16 shkurt.