Mustafa Melih Ahıshalı
20 Janar 2017•Përditësim: 20 Janar 2017
TEHERAN (AA) - Të paktën 20 zjarrfikës e kanë humbur jetën dje në rrëzimin e një rrokaqielli në kryeqytetin e Iranit, Teheran, raporton Anadolu Agency (AA).
Ndërtesa ishte ndërtuar 50 vjet më parë, ndërsa në shuarjen e zjarrit ishin përfshirë shumë ekipe zjarrfikëse, para se ndërtesa të shembej.
Sipas të dhënave paraprake, jetën e kanë humbur 20 zjarrfikës, kurse presidenti i Këshillit të Shëndetit dhe Mjedisit në Teheran, Rahmetullah Hafizi ka shprehur shqetësimet se numri i të vdekurve mund të rritet, sepse në shuarjen e zjarrit në katin e gjashtë dhe të shtatë merrnin pjesë diku 30-40 zjarrfikës.
Hafiz theksoi se ka mundësi të mos ketë të mbijetuar.
"Numri i të vdekurve mund të rritet në 40", shtoi ai.
Zëdhënësi i Zyrës për fatkeqësitë natyrore në Teheran Hasan Abbasi ka konfirmuar se 84 persona janë plagosur, kryesisht zjarrfikës.
Ende vazhdojnë operacionet e kërkimit-shpëtimit.