Ekip
31 Tetor 2018•Përditësim: 01 Nëntor 2018
BAGDAD (AA) – Mbi 118.000 persona kanë pësuar helmim të përkohshëm në muajt e fundit pasi kanë konsumuar ujë të ndotur në provincën jugore të Basrës, Irak, njoftoi të mërkurën komisioni i lartë i qeverisë irakiane për të Drejtat e Njeriut (HCHR), raporton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim, HCHR i kërkoi këshillit bashkiak të Basrës të mblidhej për të diskutuar mënyrat e zgjidhjes së krizës.
Pohohet se disa zona të Basrës, veçanërisht rajonet Shatt al-Arab dhe Al-Markaz, vazhduan të vuanin nga uji i pijshëm i ndotur.
HCHR nuk tha saktësisht se kur ishin regjistruar 118.000 rastet e helmimit, por sipas grupeve të të drejtave lokale, toksiciteti i ujit në zonë është rritur ndjeshëm që nga mesi i muajit gusht.
Këtë verë, Ministria e Burimeve të Ujërave në Irak njoftoi se përqindja e kripërave të tretura në ujërat e Shatt al-Arab, burimi kryesor i ujit të pijshëm të Basrës, kishte arritur nivele të rrezikshme.
Që nga korriku, në krahinat jugore dhe qendrore, të pjesës me shumicë shiite, veçanërisht Basra, janë mbajtur demonstrata sporadike.