Salih Okuroğlu
18 Janar 2023•Përditësim: 19 Janar 2023
Mijëra infermierë në Mbretërinë e Bashkuar hynë në një grevë dyditore për te kërkuar ngritje “të drejtë” të pagave përballë rritjes së kostos së jetesës dhe inflacionit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Infermierët e lidhur me sindikatat RCN (Royal College of Nursing), e cila ka më shumë se 300.000 anëtarë në gjithë vendin dhe përfaqëson infermierët, filluan një ndalesë pune dyditore në 55 spitale fondacionesh.
Në një deklaratë nga RCN thuhet se zyrtarët e qeverisë kanë refuzuar të marrin pjesë në negociatat zyrtare dhe për këtë arsye është zgjedhur të shkohet në grevë.
Pat Cullen, Sekretarja e Përgjithshme dhe Shefe Ekzekutive e Sindikatës RCN, ka thënë: “Njerëzit nuk vdesin se infermierët hyjnë në grevë, por infermierët hyjnë në grevë sepse njerëzit vdesin. Situata në NHS (Sistemi Kombëtar Shëndetësor i Britanisë) është kaq e tmerrshme. Është koha që kryeministri britanik t’i prijë përpjekjes për të ardhmen e sistemit”.
Greva, e cila vlerësohet të prekë rreth një të katërtën e spitaleve në Britani, pritet të shkaktojë shtyrjen e mijëra takimeve të caktuara të pacientëve, me përjashtim të kujdesit urgjent dhe trajtimit të kancerit.
Sindikata RCN njoftoi më 16 janar se nëse nuk do të kishte përparim në negociatat deri në fund të muajit, do të ketë një grevë tjetër më 6-7 shkurt.
Dhjetëra mijëra infermierë në Angli, Uells dhe Irlandën e Veriut hynë në grevë më 15 dhe 20 dhjetor 2022.
Sindikata RCN kërkon rritje me 19 për qind të pagave, ndërsa qeveria argumenton se kërkesa nuk mund të plotësohet.