Bota

India pretendon heqjen e 93 për qind të kufizimeve në Kashmir

"Pjesa më e madhe e Xhamu dhe Kashmirit është e lirë për të gjitha lëvizjet. Lejohet qasja për të huajt dhe gazetarët", njoftoi administrata e Kashmirit

Zehra Nur Düz  | 19.09.2019 - Përdıtësım : 20.09.2019
India pretendon heqjen e 93 për qind të kufizimeve në Kashmir

Ankara

India tha se kanë hequr kufizimet e lëvizjes në pjesën dërmuese të Xhamu dhe Kashmirit si dhe në Ladakh, transmeton Anadolu Agency (AA).

"Mbi 93 për qind të shtetit dhe 90 për qind të luginës tani është pa ndonjë kufizim ose urdhër-ndalues", bëri të ditur administrata në Xhamu dhe Kashmir në një deklaratë të mërkurën.

Pjesa më e madhe e Xhamu dhe Kashmirit është e lirë për të gjitha lëvizjet. Lejohet qasja për të huajt përfshirë dhe gazetarët, përveç 12 stacioneve policore në rrethin Srinagar dhe pesë të tjera, shtohet në deklaratë.

"Që nga 5 gushti janë raportuar gjithsej 192 incidente të rendit publik dhe qetësisë", theksohet më tej, ku 165 prej tyre u raportuan në Srinagar.

Të paktën 100 persona janë plagosur në incidente, përfshirë më shumë se 50 personel të sigurisë.

Megjithëse, deri tani janë raportuar pesë raste të vdekjes, në deklaratë thuhet se "vetëm njërit prej tyre i është përshkruar shkelja e ligjit dhe prishja e rendit".

Gjithashtu theksohet se "as edhe një plumb i vetëm nuk është shkrepur deri më tani".

Xhamu dhe Kashmiri ka qenë nën një bllokadë pothuajse të plotë që nga 5 gushti, kur India hoqi statusin e saj të veçantë, ndërkaq qeveria bllokoi qasjen e komunikimit dhe vendosi kufizime për të penguar çdo protestë në rajon.

Me këtë, qeveria indiane degradoi edhe më shumë dhe ndau rajonin e diskutueshëm në dy territore.

Disa grupe të të drejtave përfshirë Human Rights Watch dhe Amnesty International në mënyrë të përsëritur i kanë bërë thirrje Indisë të heqë kufizimet dhe të lirojë të paraburgosurit politikë.

Nga viti 1954 deri më 5 gusht 2019, Xhamu dhe Kashmiri ka gëzuar një status të veçantë sipas kushtetutës indiane, e cila i lejonte që të miratojë ligjet e veta. Dispozitat gjithashtu mbronin ligjin e qytetarisë së rajonit, i cili ndalonte vendosjen e të huajve dhe zotërimin e tokës në territor.

India dhe Pakistani mbajnë pjesë të Kashmirit dhe pretendojnë tërësinë e saj. Kina kontrollon gjithashtu një pjesë të rajonit të kontestuar, por janë India dhe Pakistani që kanë zhvilluar dy luftëra për Kashmirin.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.