İdiris Okuduci
29 Qershor 2021•Përditësim: 30 Qershor 2021
Në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) në Abu Dhabi u hap me një ceremoni zyrtare ambasada e Izraelit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ministri i Jashtëm izraelit, Yair Lapid, mori pjesë në ceremoninë e hapjes së ambasadës së vendit të tij në Abu Dhabi ku ai erdhi si pjesë e një vizite zyrtare.
Duke bërë një deklaratë të shkurtër për gazetarët pas hapjes së ambasadës, Lapid tha se arkitekti i marrëveshjes së normalizimit të nënshkruar midis Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Izraelit vitin e kaluar ishte ish-kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu dhe se ata e falënderuan atë për këtë rast.
Duke e përshkruar hapjen e ndërtesës së ambasadës në Abu Dhabi si një moment historik, Lapid tha se, "Marrëveshjet nënshkruhen midis udhëheqësve, por paqja arrihet nga njerëzit. Ajo që ne po bëjmë sot nuk është fundi i këtij procesi, përkundrazi kjo është fillimi".
Ministri i Jashtëm i Izraelit deklaroi se vendi i tij dëshiron paqe me të gjithë fqinjët e tij.
Në ceremoni morën pjesë gjithashtu edhe ministrja e Kulturës dhe Rinisë në EBA, Nura Mohammed Al Kaabi.
Lapid, i cili është ministri i parë izraelit që viziton këtë vend pas marrëveshjes së normalizimit të nënshkruar me EBA vitin e kaluar, brenda fushës së takimeve të tij dyditore gjithashtu do të përurojë ndërtesën e konsullatës së Izraelit në Dubai.