Bota, Shëndetësi

Hong Kong vonon importet e vaksinës AstraZeneca

Masa vjen pasi Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) tha se mund të ketë një "lidhje të mundshme midis vaksinës dhe rasteve shumë të rralla të mpiksjes së pazakontë të gjakut"

Riyaz Ul Khaliq  | 09.04.2021 - Përdıtësım : 12.04.2021
Hong Kong vonon importet e vaksinës AstraZeneca

Ankara

Pasi ndaloi përdorimin e vaksinës BioNTech, qeveria e Hong Kongut ka njoftuar se nga prodhuesi i vaksinave AstraZeneca ka kërkuar të vonojë dërgesën e vaksinës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç raporton e përditshmja 'South China Morning Post', sekretarja e qeverisë së Hong Kongut për ushqim dhe shëndetësi, Sophia Chan Siu-chee, në panelit shëndetësor të Këshillit Legjislativ tha se janë vonuar importet e vaksinave që ishin planifikuar të mbërrijnë këtë vit.

"Arsyeja kryesore është sepse ne tashmë kemi furnizime të mjaftueshme", tha Chan.

Autoritetet e Hong Kongut kishin porositur të paktën 7,5 milionë doza nga AstraZeneca, të cilat pritej të mbërrijnë në vend në gjysmën e dytë të këtij viti.

Masa vjen pasi Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) tha se mund të ketë një "lidhje të mundshme midis vaksinës dhe rasteve shumë të rralla të mpiksjes së pazakontë të gjakut".

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) po ashtu tha se një "lidhje shkakore midis vaksinës dhe shfaqjes së mpiksjes së gjakut me trombocite të ulëta konsiderohet e besueshme, por nuk është konfirmuar".

Chan tha se qeveria është e shqetësuar për raportet e sigurisë në lidhje me vaksinën AstraZeneca.

"Nuk është e domosdoshme ta dorëzojmë atë në qytet këtë vit. Ne po ashtu kemi filluar të shohim vaksinat e gjeneratës së ardhshme që mund të ofrojnë mbrojtje më të mirë kundër llojeve të reja të virusit", tha Chan.

Muajin e kaluar, Hong Kongu pezulloi përdorimin e vaksinës BioNTech. Vendimi erdhi pasi, siç tha departamenti i shëndetësisë, u zbuluan "devijime në vulën e shishes në një dërgesë vaksinash".

Megjithatë, Chan nuk zbuloi nëse qeveria e Hong Kongut ka paguar prodhuesin e barnave për vaksinën.

Që nga shpërthimi i pandemisë, Hong Kongu ka raportuar 11.550 raste të virusit COVID-19, përfshirë 205 viktima. Rajoni gjysmë-autonom me një popullsi prej 7,5 milionë banorësh, deri më tani ka administruar rreth 700 mijë doza.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.