Tevfik Durul,Büşra Selvi Öğütcen
18 Nëntor 2019•Përditësim: 19 Nëntor 2019
Në rajonin autonom të Kinës, Hong Kong protestuesit filluan të braktisin Universitetin e tyre Politeknik të cilin e kishin okupuar, transmeton Anadolu Agency (AA).
Qindra protestues filluan të largohen nga kampusi i Universitetit Politeknik në mëngjes për shkak të shqetësimit nga arrestimi, por u rikthyen pasi u përballën me ndërhyrjen e policisë me gaz lotsjellës. Policia e Hong Kongut më pas arrestoi protestuesit që dolën nga universiteti i okupuar duke ndërhyrë me shkop gome dhe gaz lotsjellës.
Protestuesit që ndodheshin jashtë bllokuan rrugën "Nathan" për të parandaluar arrestimet dhe hodhën gurë ndaj policisë e cila ka ndërhyrë ndaj tyre me gaz lotsjellës.
Urdhër për kërkimin e një vajze të plagosur
Në anën tjetër në një deklaratë nga policia e Hong Kongut, thuhet se është lëshuar një urdhër kërkimi ndaj një vajze të moshës rreth 20 vjeç e cila ishte e plagosur dhe të cilën protestuesit e kanë marrë nga ambulanca që sulmuan.
Në deklaratë thuhet se vajza është arrestuar në rrugën "Nathan" gjatë një mbledhjeje të paligjshme dhe se ata që kanë ndihmuar vajzën do të përballen me akuzën "ndihmë ndaj një fajtori".
Policia ka hapur zjarr në ajër kur protestuesit ndaluan ambulancën ndërsa në ngjarje nuk ka të plagosur, thuhet më tej në deklaratën e policisë.
Rikujtohet se dje në Universitetin Politeknik u plagos një polic nga një shigjetë e lëshuar nga protestuesit.
Policia e Hong Kongut, okupimin në universitet e ka cilësuar si një "rebelim".
Vala e dhunës në protestat e zhvilluara në Hong Kong
Në protestat që filluan në muajin qershor në Hong Kong kundër projektligjit që lejon ekstradimet në Kinë, janë rritur në javët e fundit ngjarjet e dhunshme mes protestuesve dhe policisë.
Sipas të dhënave zyrtare, në protestat të cilat vazhdojnë që nga qershori e deri më tani janë arretuar mbi 4.000 protestues.