22 nëntor 2018•Përditësim: 23 nëntor 2018
ABUJA (AA) - GÖKHAN KAVAK/ADAM ABU BASHAL -
Pedagogu në Departamentin e Gjuhëve në Universitetin Kashere në rajonin Gombe të Nigerisë, Dr. Muhammad Shariff Ramadan, thotë se është e pamundur që historia islame të plotësohet pa historinë e Turqisë.
Ramadan është prononcuar për Anadolu Agency (AA) pas pjesëmarrjes në takimin shkencor "Komunikimi Islam dhe Përfaqësimi Ndërkombëtar me mënyra të reja" i zhvilluar në Stamboll nga Fondacioni i Kërkimeve të Shkencave Islame (ISAV).
Pedagogu Ramadan thotë se është i impresionuar nga Turqia dhe se është përballur me një vend përtej pritshmërive të tij, një shtet modern që mbron rrënjët e tij dhe që ka arritur me sukses të mbrojë vlerat islame.
Ai tha se në kuadër të takimit në Stamboll ka gjetur mundësinë të shohë nga afër vendet në lidhje me historinë islame. "Turqia ka një histori islame shumë të bukur dhe ajo ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në përhapjen e islamit në botë. Historia islame nuk mund të plotësohet pa shqyrtimin e historisë së Turqisë", thekson Ramadan.
Po ashtu ai ka shtuar se në konferencë janë takuar me shumë akademikë dhe se ndjehet me fat që ka qenë pjesë e këtij takimi për njohuritë shkencore.
"Stafi akademik në konferencë është një tjetër element që më ka befasuar", tha Ramadan duke shtuar se akademikët shumë energjik dhe dinamikë janë treguesit e cilësisë së sistemit arsimor të Turqisë.
Ramadan, fjalën e tij e ka përfunduar duke bërë thirrje që marrëdhëniet mes Nigerisë dhe Turqisë duhet të rriten jo vetëm në dimensionet politike dhe ekonomike por edhe në kuptimin shkencor dhe kulturor.