Zehra Nur Düz
08 gusht 2020•Përditësim: 09 gusht 2020
Kreu i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, ka deklaruar se grupi nuk ka depo armësh në Portin e Bejrutit ku në fillim të kësaj jave ndodhi një shpërthim masiv, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Ky fakt do të zbulohet në një hetim", tha Nasrallah në një adresim televiziv, duke i refezuar akuzat kundër grupit për shpërthimin në Bejrut.
"Ne nuk e kontrollojmë Portin e Bejrutit dhe nuk e dimë se çfarë ka në të", tha ai, duke mohuar pretendimet se porti është nën kontrollin e grupit.
Nasrallah tha se autoritetet duhet të marrin në konsideratë mundësinë se shpërthimi ishte shkaktuar nga një "zjarr spontan" apo "sabotim" dhe kërkoi nga qeveria libaneze të kryente një hetim të drejtë.
Në fillim të kësaj jave, një zjarr në një depo në Portin e Bejrutit çoi në një shpërthim masiv që shkaktoi dëme të mëdha të pronave në disa lagje të kryeqytetit. Të paktën 154 persona humbën jetën dhe rreth 6 mijë të tjerë u plagosën.
Qeveria libaneze njoftoi formimin e një komiteti për të hetuar shpërthimin brenda një periudhe prej pesë ditëve.
Shpërthimi tronditi Libanin përderisa po përjeton krizën e saj më të keqe ekonomike, duke përfshirë rënien dramatike të vlerës së paundit ndaj dollarit.