Adham Kako
14 Janar 2018•Përditësim: 15 Janar 2018
GUTA LINDORE/ANKARA (AA) – Ekipet e Mbrojtjes Civile (Helmetat e Bardha) të cilët kanë shpëtuar jetën e qindra civilëve në Sirië, bënë thirrje për t'i mbrojtur civilët dhe për t’i dhënë fund sa më shpejtë sulmeve në Gutën Lindore, që gjendet nën rrethimin e regjimit të Bashar Al Asadit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë nga rrjetet sociale Mbrojtja Civile Siriane, bën thirrje tek organizatat për të drejtat e njeriut dhe shoqëritë civile në Siri dhe ato ndërkombëtare, që të veprojnë për t’i ndaluar sulmet në Gutën Lindore, në objektivë të të cilëve ndodhen civilët.
Në deklaratë theksohet rëndësia për mbrojtjen e civilëve, arritja e ndihmave humanitare në Gutën Lindore nën pushtim si dhe ofrimi i ndihmave mjekësore për të sëmurët në rast nevoje.
Më tej në deklaratë po ashtu jepen të dhëna për sulmet e regjimit dhe të mbështetësve të tij. “Përkundër të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara për mbajtjen e civilëve larg zonave të përleshjeve, regjimi sirian vazhdon operacionet ushtarake kundër popullatës të Gutës Lindore nën pushtim. Edhe mediat e regjimit publikojnë lajme të rreme, ku thuhet se civilët po largohen nga rajonet e luftës”.
Gjatë 16 ditëve të fundit humbën jetën dhjetëra civilë
Në deklaratë thuhet se regjimi sirian dhe mbështetësit e tij gjatë 16 ditëve të fundit kanë kryer sulme intensive kundër Gutës Lindore. Sipas Helmetave të Bardha, qarqet dhe qytezat në zonën e deeskalimit të Gutës Lindore, gjatë periudhës në fjalë, janë bombarduar me 645 raketa tokë- tokë. Sipas tyre, forcat e regjimit kanë marrë në objektiv vendbanimet civile me 695 sulme ajrore dhe me 3.031 sulme artilerike.
Sipas kësaj deklarate në sulmet e kryera nga ajri dhe toka në 16 ditët e fundit në Gutën Lindore kanë humbur jetën 177 civilë, prej tyre 15 fëmijë dhe 34 gra.
Edhe sot cak i sulmeve ishin civilët
Sipas informacioneve të gazetarëve të AA-së në Gutën Lindore forcat e regjimit dhe mbështetësit e tij edhe sot kanë kryer sulme nga ajri dhe toka në qarqet Duma dhe Haresta, si dhe qytezat Arbin, Ajn Terma, Medjere, Hammurije dhe Merc të Gutës Lindore.
Sipas burimeve të Mbrojtjes Civile, një civil në qytezën Merc, kurse 2 të tjerë në qarkun Haresta kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve artilerike të forcave të regjimit.
Ekipet e Mbrojtjes Civile vazhdojnë punimet e kërkim shpëtimit të civilëve nga ndërtesat e rrënuara. Të plagosurit po dërgohen për trajtim në spitalet përreth.
Ndërkohë ekipet e Mbrojtjes Civile (Helmetat e Bardha) kanë njoftuar se gjithsej 1.337 civilë nga të cilët 12 punonjës të Mbrojtjes Civile janë vrarë në sulmet në Gutën Lindore të ndërmarra nga regjimi i Asadit në vitin 2017.
Në Gutën Lindore, e cila është nën kontrollin e opozitarëve, jetojnë afro 400 mijë civilë nga të cilët gjysma janë fëmijë. Në kundërshtim me marrëveshjen e Astana-s ku Guta Lindore u shpall si "zonë jokonfliktuale", regjimi i Asadit, garantues i të cilit ishte Rusia, ka 9 muaj që ka intensifikuar bllokadën ndaj rajonit në fjalë.
Në rajonin ku është thelluar kriza humanitare, ka mbi 600 raste urgjente dhe mijëra të sëmurë të tjerë të cilët presin të evakuohen. Shumica e të sëmurëve janë fëmijë ose të sëmurë me kancer në faza të avancuara. Shumë foshnja dhe fëmijë nga Guta Lindore humbën jetën si pasojë e urisë dhe mungesës së ilaçeve.