Admir Fazlagikj
06 Shtator 2017•Përditësim: 07 Shtator 2017
SHKUP (АА) – Në prani të ministrave të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi, korit diplomatik në vend, ministrit shtetëror të Punëve të Jashtme të Japonisë Kazujuki Nakane, ambasadores së Japonisë në Maqedoni, Keiko Haneda, si dhe shumë të ftuarve tjerë sot në Shkup u mbajt solemniteti me të cilin u hap zyrtarisht Ambasada e Japonisë në Maqedoni, raporton Anadolu Agency (AA).
Ambasadorja e Japonisë në Maqedoni, Keiko Haneda në adresimin e saj rikutjoi se para tre muajve erdhi në Maqedoni, si ambasadore e parë rezidente japoneze në vend dhe që atëherë, siç tha, në mënyrë intensive punon në promovimin e marrëdhënieve bilaterale mes dy vendeve.
Haneda shtoi se Ambasada e Japonisë në Shkup u hap në janar të këtij viti dhe shprehu falënderime deri tek të gjithë ata që dhanë mund për avancimin e siç tha, marrëdhënieve të mira në të kaluarën.
“Do të dëshiroja të punojmë me mund me të gjitha palët për t’i forcuar, zgjeruar dhe thelluar marrëdhëniet në të gjitha sferat. Për këtë shkak, jemi falënderues ndaj mbështetjes dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm. Njëherit shpresojmë se do të takohemi në shumë raste të ardhshme”, tha ambasadorja Haneda.
Ministri shtetëror për Punë të Jashtme i Japonisë, Kazujki Nakane shprehu kënaqësi nga prania e tij në solemnitetin e sotëm, duke u përqendruar në rëndësinë e Maqedonisë në raport me stabilitetin në rajon.
“Duke marrë parasysh rëndësinë e Maqedonisë, e cila është kyçe për stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor vendosëm që të hapim Ambasadën e Japonisë në Shkup. Përmes hapjes së kësaj ambasade, do të dëshiroja që edhe më tej t’i zhvillojmë marrëdhëniet miqësore bilaterale mes dy vendeve tona”, tha Nakane.
Nga ana tjetër zëvendës-ministrja e Punëve të Jashtme e Maqedonisë, Arta Toçi, në fjalimin e saj theksoi se kjo është një ngjarje historike për marrëdhëniet bilaterale mes Maqedonisë dhe Japonisë dhe shprehu bindjen se të dyja palët do të investojnë përpjekje për avancimin e marrëdhënieve bilaterale në të gjitha sferat me interes të ndërsjellë.
Mes tjerash, në pritjen solemne mysafirët kishin mundësi që të shijojnë nga kuzhina tradicionale japoneze dhe pijet japoneze.
Pas ceremonisë solemne, ministri shtetëror Nakane së bashku me ministrin e Shëndetësisë të Maqedonisë do ta vizitojnë Klinikën shtetërore të Gastroenterohepatologjisë ku do të bëhet donacion si dhe do të mbahet ligjeratë mbi aparatin më bashkëkohor për diagnozë abdominale dhe ultazë.
Japonia në mënyrë aktive e mbështet Maqedoninë dhe deri tani në fushën e bashkëpunimit ekonomik ka siguruar 272.5 milionë euro grante për shëndetësi, arsim dhe zhvillim të bashkësive lokale, si dhe 96.89 milionë euro kredi për zhvillimin e infrastrukturës. Japonia i ndau Maqedonisë 4.7 milionë euro ndihmë për përballje me krizën e refugjatëve.