Tevfik Durul
30 Tetor 2017•Përditësim: 31 Tetor 2017
PEKIN (AA) - Anadolu Agency (AA) në kuadër të vizionit të saj për t'u bërë një ndër agjencitë e lajmeve më me ndikim në botë, ka hapur me një ceremoni zyrën e saj në kryeqytetin e Kinës, Pekin.
Në hapjen e zyrës në Kinë morën pjesë, Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i AA-së, Mustafa Özkaya, anëtarë të bordit drejtues të AA-së, Muhammet Salih Demirkan dhe Ali Türker Pirtini, Drejtori i Operacioneve Ndërkombëtare, Ural Yeşil, Nënsekretari i Ambasadës së Turqisë në Pekin, Teoman Uykur, Drejtori i Lajmeve Ndërkombëtare të Agjencisë së Lajmeve Xinhua, Yen Vinbin, si dhe shumë gazetarë dhe të ftuar të tjerë.
Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i AA-së, Özkaya, në fjalimin e tij, duke tërhequr vëmendjen në rëndësinë e transmetimit të lajmit në mënyrë të paanshme dhe objektive në Kinë e cila është ekonomia e dytë më e madhe në botë dhe një aktor politik i fuqishëm, tha se "Me zyrën e Pekinit jemi duke e përfunduar një ndër shtyllat më të rëndësishme të AA-së në strukturën e rajonit Azi-Paqësor".
Ai më tej rikujtoi se Turqia është një ndër shtetet me rëndësi kyçe në kuadër të projektit "Brezi dhe Rruga", rekomanduar nga presidenti kinez, Xi Jinping. "Shpresojmë që kjo zyrë të kontribuojë në miqësinë historike mes Turqisë dhe Kinës e cila ka nisur me Rrugën e Mëndafshit", u shpreh Özkaya.
"Dje festuam 94-vjetorin e Republikës së Turqisë. Ndjejmë kënaqësi që gjendemi sot këtu në Pekin, në hapjen e zyrës sonë pas një përvjetori kaq të mirë. I falënderoj të gjithë pjesëmarrësit në këtë hapje domethënëse", tha ai.
Pas ceremonisë, të ftuarit u informuan rreth strukturimit global të AA-së si dhe për gjuhët në të cilat publikohen lajmet. Gjithashtu për pjesëmarrësit janë dhuruar broshurat Istanbul Photo Awards 2017 dhe Tentativa e Grusht Shtetit nga FETÖ.
Nga ana tjetër, Drejtori i Lajmeve Ndërkombëtare të Agjencisë së Lajmeve Xinhua, Yen Vinbin, theksoi në rëndësinë e bashkëpunimit me AA. Ai tregoi se kryetari i Xinhua, Say Mingcao, e ka uruar Kryetarin e Bordit Drejtues të AA-së dhe Drejtorin e Përgjithshëm, Şenol Kazancı, duke i dërguar një letër.
Ai më tutje duke vënë në dukje se AA e cila është një ndër institucionet më të vjetra të Turqisë ofron lajme të sakta, të shpejta dhe objektive nga Kina për të gjitha abonentët e saj në botë, tha se zyra të cilën e kanë hapur do të sjellë kontribut pozitiv në marrëdhëniet mes dy shteteve.
Ndërkohë, anëtarë i bordit drejtues të AA-së, Pirtini në një deklaratë për gazetarin e AA-së, tha se Kina është një shtet që shënon rritje në çdo aspekt. "Besoj se zyra jonë në Kinë, e cila është shteti më i madh dhe më i rëndësishëm në rajon, do të sjell kontribut të madh në rrjetin e lajmeve të AA-së", u shpreh Pirtini.
"Synojmë që të përforcojmë urat e zemrës mes popullit turk dhe kinez me të cilët kemi lidhje historike, me anë lajmeve që do t'i bëjmë nga Pekini", tha Pirtini, duke shtuar se me hapjen e zyrës së AA-së e cila bën publikime në 13 gjuhë, në kryeqytetin kinez kanë kurorëzuar strukturimin në rajon.
Në kuadër të strukturimit global të AA-së, javën e kaluar ishte bërë hapja e servisit në gjuhën spanjolle në kryeqytetin e Kolumbisë, Bogota si dhe të gjuhës indoneziane në kryeqytetin e Indonezisë, Xhakarta. AA gjithashtu ka bërë hapjen e zyrës në kryeqytetin e Malajzisë, Kuala Lumpur, ndërsa deri në fund të vitit do të hapë edhe zyrë në Pakistan.