Ali Cura,Selen Temizer
12 Prill 2018•Përditësim: 12 Prill 2018
ANKARA/MOSKË (AA) - Rajoni i Gutës Lindore në kryeqytetin e Sirisë, Damask, ka kaluar plotësisht nën kontrollin e regjimit të Bashar al-Asadit dhe mbështetësve të tij, transmeton Anadolu Agency (AA).
Njoftohet se ka përfunduar evakuimi i opozitarëve ushtarakë nga rajoni Duma në Gutën Lindore dhe pritet që në një kohë të shpejtë të përfundojnë edhe evakuimi i civilëve.
Pjesa më e madhe e evakuimeve u zhvilluan në zonën e operacionit "Mburoja e Eufratit" në veri të vendit.
Edhe Ministria ruse e Mbrojtjes në një deklaratë ka njoftuar se Guta Lindore ka kaluar plotësisht nën kontrollin e regjimit të Bashar al-Asadit.
Sipas lajmit të agjencisë TASS, komandanti i qendrës së Ministrisë ruse të Mbrojtjes për vëzhgimin e armëpushimit në Siri, Yuriy Yevtushenko, është shprehur se nën kontroll është marrë edhe rajoni Duma.
Në fillim të javës, zyrtarët ushtarakë rusë theksuan se me grupin opozitar të armatosur "Xhejshul İslam" kishin arritur marrëveshje për dorëzimin e armëve dhe nisjen e operacionit për evakuimin nga rajoni Duma.
Në Gutën Lindore e cila u mbajt për pesë vjet nën bllokadë, regjimi i Asadit dhe Rusia vazhduan të organizonin sulme të ashpra, pavarësisht faktit se ajo ishte shpallur një "zonë jokonfliktuale" me marrëveshjet në Astana. Gjatë bombardimeve, mungesës së ushqimeve dhe sëmundjeve për shkak të bllokadës humbën jetën mijëra civilë.