Ekip
26 Nëntor 2020•Përditësim: 26 Nëntor 2020
Në Greqi në rrjedhë është greva 24 orëshe e nëpunësve shtetërorë, të cilët kanë një sërë kërkesash përfshirë edhe mbrojtje në vendin e punës nga koronavirusi (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).
Pritet që greva të sjellë çrregullim në transportin publik dhe shërbimet tjera.
Është ndaluar komunikacioni i tragetëve si dhe metroja dhe tramvaji në Athinë. Autobusët kanë vazhduar të qarkullojnë në kryeqytet.
Fluturimet që u anuluan të enjten janë përsëri në funksion pasi kontrollorët e fluturimit anuluan grevën pasi një gjykatë vendosi se pjesëmarrja e tyre ishte e paligjshme.
Gazetarët grekë do të marrin pjesë po ashtu në ndërprerjen dyorëshe, e cila nuk do të transmetojë lajme midis orës 11:00 dhe 13:00 pasdite.
Sindikatat e nëpunësve civilë kanë bërë thirrje për grevë mbi një sërë kërkesash, përfshirë rritjen e masave mbrojtëse të lidhura me COVID-19 në vendin e punës dhe në shkolla, punësimin masiv në transportin publik dhe kujdesin shëndetësor dhe rritjen e pagave për nëpunësit civilë.
Punonjësit e transportit publik kërkojnë testimin mbi COVID-19 në kurriz të ndërmarrjeve të tyre.
Greqia ka regjistruar rritje të konsiderueshme të infeksioneve të koronavirusit dhe vdekjeve që rëndojnë sistemin shëndetësor të vendit.
Ndonëse qeveria ka kryer punësime masive të punonjësve mjekësorë që kur vendi u godit nga pandemia dhe ka dyfishuar numrin e shtretërve në njësitë e kujdesit intensiv që nga mesi i vitit 2019, shumë pavijone, veçanërisht në Greqinë veriore të goditur më shumë nga pandemia, janë afër stërmbushjes së kapacitetit.
Autoritetet shëndetësore kanë marrë përsipër dy klinika private në qytetin verior të Selanikut dhe stafin e tyre për t'u përdorur për pacientët me koronavirus.
Greqia momentalisht ka më shumë se 97 mijë raste të konfirmuara me koronavirus dhe rreth 1.900 raste të vdekjes në këtë vend prej 11 milionë banorësh.