Alaattin Doğru
13 Gusht 2021•Përditësim: 14 Gusht 2021
Autoriteti më i lartë kushtetues i Francës miratoi ligjin e diskutueshëm kundër separatizmit që është kritikuar për veçimin e muslimanëve, duke rrëzuar vetëm dy artikuj të tij, transmeton Anadolu Agency (AA).
Projektligji u soll në Këshillin Kushtetues nga 60 deputetë nga 577 gjithsej dhe 60 senatorë nga 348, thuhet në një deklaratë të këshillit.
Këshilli hodhi poshtë nenin 16 të ligjit për pezullimin e veprimtarive të shoqatave, duke thënë se pasi procesi mund të zgjasë gjashtë muaj, kjo do të cenonte lirinë e shoqatave.
Ai gjithashtu hodhi poshtë nenin 26 për dhënien ose tërheqjen e lejeve të qëndrimit për shtetasit e huaj, duke thënë se kjo ishte në kundërshtim me parimet e republikës.
Nenet e tjera të projekt-ligjit të diskutueshëm u miratuan.
Ligji kundër separatizmit
Asambleja Kombëtare miratoi projektligjin muajin e kaluar, pavarësisht kritikave të fuqishme nga ligjvënësit e djathtë dhe të majtë. Qeveria thotë se legjislacioni ka për qëllim të forcojë sistemin laik të Francës, por kritikët thonë se ai kufizon lirinë fetare dhe i margjinalizon muslimanët.
Projektligji është kritikuar për shënjestrimin e komunitetit musliman të Francës, që me rreth 3,35 milionë është më i madhi në Evropë, si dhe për vendosjen e kufizimeve në shumë aspekte të jetës së anëtarëve të këtij komuniteti.
Ligji lejon zyrtarët të ndërhyjnë në xhami dhe shoqata përgjegjëse për administrimin e tyre, si dhe të kontrollojnë financat e shoqatave dhe OJQ-ve që u përkasin muslimanëve.
Ai gjithashtu kufizon zgjedhjet arsimore të muslimanëve duke e bërë shkollimin në shtëpi objekt të lejes zyrtare.
Sipas ligjit, pacientëve u ndalohet të zgjedhin mjekët e tyre në bazë të gjinisë për arsye fetare ose arsye të tjera, ndërsa "edukimi rreth laicizmit" u bë i detyrueshëm për të gjithë nëpunësit civilë.
Franca është kritikuar nga organizatat ndërkombëtare dhe OJQ-të, veçanërisht nga OKB-ja, për shënjestrimin dhe margjinalizimin e muslimanëve me këtë ligj.