Mahmoud Barakat
07 Gusht 2019•Përditësim: 07 Gusht 2019
Gazetarët palestinezë që ndjekin protestat javore kundër okupimit shumë-dekadësh të Izraelit po ankohen se janë cak i snajperëve izraelitë të vendosur përgjatë kufirit të territorit të bllokuar.
Që kur filluan protestat në mars të vitit të kaluar, dy gazetarë janë vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur nga të shtënat izraelite në afërsi të zonës tampon mes Gazës dhe Izraelit.
Sipas Komitetit për Mbështetje të Gazetarëve (JSC) në Palestinë, javën e kaluar dy gazetarë janë plagosur përderisa po ndiqnin protestën kundër okupimit izraelit.
Fotoreporteri Osama Al-Kahlout u qëllua në këmbë me një plumb të vërtetë përderisa Hatem Omar, që punon për agjencinë kineze të lajmeve Xinhua, u plagos nga një plumb gome.
"Askush nuk ka imunitet përgjatë kufirit të Gazas", thotë për Anadolu Agency (AA) 33-vjeçari Al-Kahlout, i cili u qëllua në lindje të kampit të refugjatëve al-Bureij në pjesën qendrore të Rripit të Gazës.
"Forcat okupatore (të Izraelit) qëllojnë gazetarët, ekipet mjekësore, qytetarët dhe madje edhe personat me aftësi të kufizuara", thotë ai. "Çdokush është nën objektivin e snajperëve izraelit".
Al-Kahlout tha se ka marrë një telefonatë nga një numër i panjohur para se të qëllohej në këmbë.
Fotoreporteri beson se "thirrja ishte nga ushtria izraelite në mënyrë që të gjendet me lehtësi dhe të qëllohet drejtpërdrejt".
Ai konfirmon se ka pasur të veshur veshje dalluese me shenja të gazetarit dhe se po punonte në një zonë relativisht të largët nga protestuesit.
- Krimet e Izraelit
Sipas al-Kahlout, katër gazetarë më herët janë lënduar derisa po ndiqnin protestat javore në zonën e njëjtë ku është qëlluar edhe ai, në lindje të kampit të refugjatëve al-Bureij.
"Forcat izraelite i qëllojnë gazetarët në përpjekje për t'i parandaluar ata që t'ia paraqesin botës krimet e tyre dhe shkeljet ndaj protestuesve paqësorë", thotë ai.
Omar, gazetar i agjencisë së lajmeve Xinhua, gjithashtu u qëllua përderisa po ndiqte protestat në lindje të qytetit Khan Younis në pjesën jugore të Rripit të Gazës.
"U qëllova nga dy plumba të gomës në të dy këmbët, edhe pse kisha të veshur veshje me shenja të gazetarëve dhe punoja në një zonë larg protestuesve", thotë Omar për AA.
Duke e akuzuar ushtrinë izraelite se qëllon gazetarë ndërkombëtarë në Gaza, Omar thotë: "Në shumë incidente, grupe të gazetarëve u qëlluan me gaz lotsjellës apo me plumba përderisa po punonin në zona larg protestuesve".
Ahmed Ghanem, gazetar i televizionit Al-Mayadin, thotë se ushtria izraelite i qëllon gazetarët "për t'i parandaluar në kryerjen e detyrës së tyre".
"Gazetarët palestinezë e kanë dëshmuar fuqinë dhe aftësinë e tyre për të ekspozuar krimet e okupimit dhe të t'ia përcjellë botës porosinë e popullit palestinez në Gaza. Kjo e shqetëson Izraelin dhe e turpëron para komunitetit ndërkombëtar", thotë ai.
Edhe Ghanem është qëlluar nga një predhë gazi përderisa po ndiqte protestat në janar. Ai u bën thirrje organizatave të të drejtave të njeriut që të "ofrojnë mbrojtje për gazetarët palestinezë ndaj sulmeve të vazhdueshme izraelite".
- Ndjekja penale
Tahseen al-Astal, zv/president i Sindikatës së Gazetarëve Palestinezë, thotë se organizata e tij po përgatiste "dosje ligjore për shkeljet izraelite ndaj gazetarëve, e cila do t'u dorëzohej gjykatave ndërkombëtare për të ndjekur penalisht liderët izraelitë".
Ai thotë se sindikata u ka dërguar letra Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve, Unionit të Gazetarëve Arabë dhe UNESCO-s, "për t'i informuar për shkeljet izraelite ndaj gazetarëve".
Sipas Salama Maarouf, zëdhënës qeveritar në Gaza, rreth 360 gazetarë janë lënduar nga të shtënat e ushtrisë izraelite që kur filluan protestat në gaza në mars të vitit 2018.
Demonstruesit kërkojnë fundin e bllokadës 12-vjeçare të Izraelit në Rripin e Gazës, e cila ka shkatërruar ekonominë e enklavës bregdetare dhe ka privuar dy milionë banorët e saj nga shumë artikuj themelorë.
Që nga fillimi i tubimeve protestuese në Gaza në mars të vitit të kaluar, afro 270 protestues kanë rënë dëshmorë dhe mijëra të tjerë janë plagosur nga trupat izraelite të vendosura pranë zonës tampon.