Gazetarët e Reuters-it rrëfejnë paragjykimet pro-Izraelit
“Një shembull i qartë si formulimi ynë nënkupton paragjykim është në zgjedhjen tonë për të ndaluar përdorimin e 'Palestinës', teksa Palestina mund të mos njihet si shtet në disa vende, nuk kemi nevojë të pretendojmë se nuk është një vend i vërtetë”

Istanbul
Shumë punonjës të agjencisë së lajmeve Reuters me seli në Britani kanë folur në një raport të publikuar dje rreth asaj që ata e shohin si paragjykim pro-Izrael midis redaktorëve dhe menaxhmentit të kompanisë, transmeton Anadolu.
Incidenti i fundit që çoi në një reagim të ashpër ndaj raportimit të paragjykuar të Reuters-it ishte kur Izraeli vrau gazetarin palestinez, Anas al-Sharif, në fillim të këtij muaji.
Edhe pse al-Sharif më parë punoi për agjencinë e lajmeve, madje edhe fitoi një çmim ‘Pulitzer’ në vitin 2024 për punën e tij atje, Reuters për mbulimin e vdekjes së gazetarit përdori titullin “Izraeli vret gazetarin e Al Jazeera-s, thotë se ishte udhëheqësi i Hamasit”.
Reagimi i ashpër publik nuk u kufizua vetëm në audiencën prej miliarda shikuesish të agjencisë globale të lajmeve as në këtë incident, pasi shqetësimi që shkaktoi midis disa personave brenda stafit në Reuters prodhoi një rishikim të brendshëm të paragjykimeve brenda raportimit të tyre.
Sipas grupit të gazetarisë investigative ‘Declassified UK’, një studim i brendshëm nga gazetarët e Reuters-it analizoi 499 raporte të etiketuara si "Izrael-Palestinë" të botuara midis 7 tetorit dhe 14 nëntorit të vitit 2023 dhe gjeti një "model të qëndrueshëm të caktimit të më shumë burimeve për mbulimin e historive që prekin izraelitët në krahasim me palestinezët".
"Një hetim i brendshëm gjithëpërfshirës, duke kryer analiza sasiore dhe cilësore të raportimit tonë u zhvillua”, sipas një burimi nga Reuters, i cili i tha se për ‘Declassified UK’: "Disa javë pas sulmit të 7 tetorit, disa gazetarë në Reuters e kuptuan se mbulimit tonë të luftës Izrael-Gaza i mungonte objektiviteti”.
"Gjetjet formuan bazën e një letre të hapur, e cila u nda brenda redaksisë për të identifikuar dhe lidhur gazetarët brenda redaksisë që janë të përkushtuar për forcimin e gazetarisë së Reuters-it në Gaza", tha burimi.
Autorët e saj gjithashtu u ankuan se "një shembull i qartë se si formulimi ynë nënkupton paragjykim është në zgjedhjen tonë për të ndaluar përdorimin e 'Palestinës', teksa Palestina mund të mos njihet si shtet në disa vende perëndimore, nuk kemi nevojë të pretendojmë se nuk është një vend i vërtetë".
Më pas, grupi ngriti pikëpyetje pse Reuters nuk ka raportuar më shumë mbi pretendimet e ekspertëve se Izraeli po kryen gjenocid në Gaza, duke e krahasuar këtë me mënyrën se si agjencia e lajmeve iu qaset akuzave të tilla në lidhje me sjelljen e Rusisë në Ukrainë.
- Rishikimi
Duke reflektuar mbi kritikat, Howard S. Goller, redaktor i redaksisë globale të lajmeve të Reuters-it për cilësinë dhe stilin, dërgoi një postë elektronike me temën “Përditësimi i stilit të Reuters-it mbi konfliktin në Lindjen e Mesme” për të rishikuar politikën editoriale.
Përditësimi thuhet se u lejoi gazetarëve të Reuters-it të përdorin fjalën "gjenocid" me atribuim, por prapëseprapë kufizon termin Palestinë për "referenca ndaj Palestinës historike nga antikiteti... deri në vitin 1948".
Edhe me kufizimet më të lirshme mbi termin "gjenocid", analiza nga ‘Declassified UK’ zbuloi se Reuters vazhdoi ta përdorë fjalën në vetëm 14 nga 300 raportet në faqen e saj "Izraeli dhe Hamasi në luftë" midis 21 qershorit dhe 7 gushtit.
Edhe kur përmendej gjenocidi, ai ishte pothuajse gjithmonë me mohimin e Izraelit, një praktikë "standardi të dyfishtë" që nuk u ofrohet palëve të tjera ndërluftuese, siç janë Forcat e Mbështetjes së Shpejtë në Sudan ose Rusi.
Kjo praktikë shkaktoi reagime negative nga figura të mediave sociale si Assal Rad, një studiuese e historisë së Lindjes së Mesme e njohur si "ndërhyrëse e titujve kryesor", e cila tha se “modeli që vini re është në thelb mohimi i gjenocidit".
"Reuters i paraqet mizoritë e Izraelit në Gaza si pjesë të një 'lufte' ose 'fushate ushtarake' të vazhdueshme, në vend që ta quajë atë një gjenocid, pavarësisht konsensusit midis ekspertëve të të drejtave të njeriut dhe institucioneve ndërkombëtare që kanë arritur në përfundimin se Izraeli po kryen gjenocid", tha ajo.
- “Përjashtimi” editorial
Analiza nga ‘Declassified UK’ tregon se posta elektronike nga Goller citonte pjesë nga udhëzuesi i stilit të titullit “Lufta e Gazës (2023-deri më sot)” dhe “Konteksti më i gjerë”, të cilat ofrojnë detaje kryesisht nga perspektiva e Izraelit dhe nuk përmendin elementë thelbësor si roli i SHBA-së dhe Izraelit në sabotimin e negociatave të armëpushimit.
U zbulua se ato e linin plotësisht jashtë kolonializmin dhe aparteidin e paligjshëm të Izraelit dhe nënvlerësonin ndjeshëm shkallën e shkatërrimit në Palestinë.
Gjithashtu pjesët e përditësuara të udhëzuesit të stilit nuk citonin gjetjet e revistës mjekësore britanike ‘The Lancet’, të cilat “vlerësojnë se deri në 186 mijë ose edhe më shumë vdekje mund t'i atribuohen konfliktit aktual në Gaza” dhe neglizhojnë faktin se Gaza është bërë një zonë konflikti vdekjeprurëse për gazetarët.
Në dritën e të gjitha këtyre, një zëdhënës i Reuters-it tha për ‘Declassified UK’ se ata besonin se mbulimi i tyre "ka qenë i drejtë dhe i paanshëm, në përputhje me Parimet e Besimit të Thomson Reuters”.
"Ashtu si në shumë redaksi, mbulimi ynë i luftës është nën shqyrtim të kujdesshëm, përfshirë edhe nga gazetarët tanë dhe jemi përballur me reagime nga vende të shumta”, tha zëdhënësi.
Menaxhmenti i Reuters-it nuk iu përgjigj pyetjeve nëse ishte pranuar ndonjë rekomandim nga studimi i brendshëm.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.