Kerem Kocalar
19 Tetor 2016•Përditësim: 20 Tetor 2016
GAZIANTEP (AA) - Gazetarë të mediave të huaja që operojnë në Turqi, kanë vizituar qytetin e shpëtuar gjatë ofensivës "Mburoja e Eufratit", Jarabulus, raporton Anadolu Agency (AA).
Në kuadër të një programi të organizuar nga Drejtoria e Informacionit dhe e Mediave pranë Kryeministrisë së Turqisë, 36 gazetarë të mediave të huaja në Turqi, kanë udhëtuar drejt Sirisë. Ata kanë patur mundësinë të shohin dhe të filmojnë nga afër jetën e qytetarëve në Jarabulus të Sirisë, pas shpëtimit nga organizata terroriste DEASH në kuadër të operacionit "Mburoja e Eufratit", në bashkëpunim me Ushtrinë e Lirë Siriane (ULS).
Nën kujdesin e forcave të ULS, gazetarët kanë vizituar shkollën "Dëshmori Sandık Handavi", spitalin e Jarabulusit, godinën e këshillit bashkiak, etj. Gazetarët të cilët filmuan jetën në këtë qytet, realizuan intervista të ndryshme edhe me qytetarët. Pas vizitës e cila zgjati rreth 2 orë, gazetarët u kthyen në Turqi.
Kryetari i Parlamentit rajonal, Muhammed Habesh, ka informuar gazetarët për gjendjen në qytet. Ai ka dhënë informacione mbi gjendjen e mëparshme të Jarabulusit dhe pas ofensivës "Mburoja e Eufratit", pas të cilës ky qytet u kthye në një simbol.
Ai ka thënë se popullsia në këtë qytet gjatë kontrollit të DEASH-it ishte ulur shumë, ndërsa pas ofensivës, kanë filluar kthimet dhe popullsia tashmë ka shkuar në 30 mijë. Gjatë informimit është treguar se si pas ofensivës është ridërguar energjia elektrike edhe në rrethinat e qytetit.