Laura Gamba Fadul
20 Dhjetor 2021•Përditësim: 20 Dhjetor 2021
Politikani i majtë Gabriel Boric, 35-vjeç, të dielën u bë presidenti më i ri i Kilit, duke fituar garën me kandidatin e të djathtës ekstreme, Jose Antonio Kast, transmeton Anadolu Agency (AA).
Boric fitoi 56 për qind të votave, ndërsa kundërshtari i tij, populisti Jose Antonio Kast, fitoi 44 për qind.
"Do të jem president i të gjithë kilianëve. Nuk do të qeveris i vetëm brenda katër mureve", tha Boric në një video-konferencë të shkurtër televizive me presidentin në largim Sebastian Piner.
Kast, i cili u rendit i pari në raundin e parë të zgjedhjeve më 21 nëntor, pranoi fitoren e ish-liderit studentor.
"Bisedova me Gabriel Boricin dhe e urova për triumfin e tij të madh. Nga sot, ai është presidenti i Kilit dhe meriton gjithë respektin dhe bashkëpunimin tonë konstruktiv. Kili është gjithmonë në vend të parë", ka shkruar ai në llogarinë e tij në Twitter.
Boric, një politikan progresiv, luajti një rol të rëndësishëm në protestat e studentëve të vitit 2011 kundër pabarazisë strukturore në Kili. Ai u zotua të trajtojë pabarazinë në vend duke reformuar sistemin e pensioneve dhe të kujdesit shëndetësor të Kilit dhe duke reduktuar orët e punës në javë nga 45 në 40.
Si pjesë e koalicionit të majtë "E miratoj dinjitetin", ai ishte i dyti në raundin e parë me 26 për qind të votave, ndonëse që atëherë ka fituar pothuajse të gjitha sondazhet.