Tayfun Salcı
29 Janar 2017•Përditësim: 30 Janar 2017
LONDËR (AA) - Ka nisur një fushatë për mbledhjen e firmave kundër vizitës zyrtare të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, në Britaninë e Madhe, raporton Anadolu Agency (AA).
Fushata ka nisur në pjesën e kërkesave të uebit zyrtar të Parlamentit britanik. Ndërkohë ka si qëllim pengimin e vizitës zyrtare të Trump në këtë vend e cila parashikohet të realizohet brenda këtij viti.
Në kuadër të kësaj fushate thuhet se deri më tani janë hedhur më shumë 150 mijë nënshkrime. Edhe pse kjo gjë nuk do të pengojë ardhjen e Trumpit në këtë vend, përmes kësaj fushate synohet që ai të paktën të mos jetë i ftuari zyrtarë i mbretëreshës.
Normalisht kur për një temë të caktuar mblidhen më shumë se 10 mijë kërkesa, në ueb-faqen zyrtare të Parlamentit britanik, qeveria është e detyruar të japë një sqarim zyrtar, ndërsa kur numri i kërkesave kalon 100 mijë, parlamenti i këtij vendi mund ta diskutojë atë në një seancë të posaçme.
Kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May, gjatë vizitës së saj në SHBA, të premten, i dorëzoi Presidentit Trump ftesën e Mbretëreshës Elizabeth-a e dytë. Ndërsa Trumpi deklaroi se e ka pranuar ftesën dhe se do të vizitojë këtë vend brenda këtij viti.
Gjatë kohës kur Trump kandidonte për postin presidencial në SHBA, në kuadër të një fushate të zhvilluar në Britaninë e Madhe u mblodhën më shumë se 500 mijë firma për një kërkesë e cila kërkonte ndalimin e hyrjes së Donald Trump në këtë vend. Kërkesa ishte diskutuar në dhomën e ulët të parlamentit, por në fund të diskutimin nuk u hodh ndonjë hap konkret.