Ekip
26 Janar 2016•Përditësim: 26 Janar 2016
PARIS (AA) — Policia ka përdorur gaz lotsjellës në drejtim të taksistëve të cilët tentuan të marshojnë në një autostradë, të pakënaqur nga kushtet e punës si dhe nga konkurrenca siç e konsiderojnë ato jo të ndershme nga shërbimi taksi Uber, transmeton Anadolu Agency (AA).
Qindra taksistë francez të cilëve u janë bashkangjitur disa nga Belgjika dhe Spanja, kanë bllokuar një udhëkryq i cili shpie në Parisin perëndimor, duke shkaktuar ndërprerje të komunikacionit.
Dhjetëra vetura u përpoqën të depërtojnë nga udhëkryqi në "Porte Maillot" në autostradën në fjalë, por ndërhyrja e policisë me gaz lotsjellës i detyroi ato të tërhiqen.
Protesta e taksistëve tradicional në Francë bëhet në shenjë revolte ndaj konkurrencës siç e konsiderojnë ato jo të ndershme të shërbimit Uber, dhe kjo nuk është hera e parë që taksistët protestojnë.
Edhe protestat e mëparshme kanë rezultuar të jenë të dhunshme.