Fatma Esma Arslan
25 Maj 2016•Përditësim: 25 Maj 2016
PARIS (AA) - Në kuadër të protestave kundër projekt ligjit të ri të punës të cilin qeveria e Francës po përpiqet ta kalojë në parlament, centralet bërthamore po shkojnë në grevë, raporton Anadolu Agency (AA).
Konfederata më e madhe e punëtorëve në Francë, CGT, u bëri thirrje sindikatave të saj që ta bojkotojnë punën në centralet bërthamore.
Pas thirrjes, u deklarua se që nga mesnata prodhimi në reaktorin bërthamor Nogent-sur-Seine në qytetin Aube do të ndërpritet.
Nga ana tjetër, Industria Franceze e Karburantëve (UFIP) njoftoi se si pasojë e protestave që po vazhdojnë në rafineri që nga fundjava e deri më tani, kanë filluar të shfrytëzohen rezervat strategjike të shtetit.
Zëdhënësja e UFIP-it Catherine Enck, potencoi se me leje të qeverisë kanë shfrytëzuar një pjesë nga rezervat e karburantëve. Ndërkaq, kryetari i UFIP-it Franci Duseux, bëri të ditur se nga rezerva i kanë përmbushur nevojat për dy ditë. Ai tha se në rastin më të keq mund të vazhdohet me shfrytëzimin e rezervave deri në tre muaj.
Nga 12 mijë pompat e benzinës e në Francë, 2.400 kanë ngelur pa karburantë, ndërkohë që grevat po vazhdojnë në 8 rafineritë e Francës, aq sa ka ky shtet.
Ndërsa Sindikatat paralajmërojnë rritje të përmasave të protestave në qoftë se qeveria nuk e tërheq projekt ligjin e ri, kjo e fundit deklaron se nuk do të bëjë asnjë hap prapa.