Alaattin Doğru
10 Nëntor 2020•Përditësim: 11 Nëntor 2020
Përderisa mësuesit në të gjithë Francën hynë në grevë për shkak të koronavirusit të ri (COVID-19), nxënësit në disa shkolla të mesme në kryeqytetin Paris vazhduan protestën e tyre kundër vazhdimit të mësimit nën masa të pamjaftueshme, pavarësisht pandemisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Drejtoria e Arsimit për Parisin njoftoi se nxënësit në 5 shkolla të mesme në qytet kanë formuar barrikada në hyrje të shkollave dhe kanë penguar përpjekjet për bllokim të policisë.
Nxënësit e shkollave të mesme "Colbert" dhe "Brassens" të cilët edhe më parë janë përleshur me policinë në qytet, zhvilluan protestë duke u ulur. Ndërkohë policia ka ndërhyrë me gaz lotsjellës dhe shkopa gome ndaj nxënësve që kanë rezistuar të shpërndahen.
Pavarësisht rasteve me COVID-19 që po rriten me shpejtësi, nxënësit reagojnë ndaj vazhdimit të mësimit pa marrjen e masave të mjaftueshme dhe zvogëlimin e numrit të të pranishmëve në klasa.
Me thirrjen e bërë nga 5 sindikata arsimore sot janë në grevë edhe një numër i madh i mësuesve në mbarë vendin.
Sindikatat mbrojnë idenë e tyre se Ministria e Arsimit nuk ka marrë masa përveç maskës dhe dizenfektuesve dhe kërkojnë përgjysmimin e pranisë në klasa si dhe zhvillimin e mësimit ballë për ballë dhe në distancë në mënyrë alternative.
Për shkak të rritjes së shpejtë të rasteve me COVID-19 në Francë është vendosur zbatimi i ndalesës së daljes në rrugë gjatë gjithë ditës ndërkohë që është vendosur vazhdimi i mësimit në shkolla.