Murat Ünlü
24 Prill 2017•Përditësim: 25 Prill 2017
PARIS (AA) - Sipas rezultatiti të numërimit të votave të Ministrisë së Brendshme të Francës, lideri i Lëvizjes "En Marche" Emmanuel Macron dhe liderja e partisë së djathtë ekstreme Fronti Nacional, Marine Le Pen, kanë marrë dy vendet e para në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale që u mbajtën të dielën, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas të dhënave jozyrtare të ministrisë, është bërë numërimi i 97 përqind të fletëvotimeve.

Macron është radhitur i pari, duke fituar 23.9 përqind të votave. Ndërkaq, pas tij radhitet Le Pen me 21.4 përqind të votave. François Fillon, kandidati i partisë së qendrës së djathtë, Partisë Republikane, ka marrë 19.9 përqind të votave dhe është radhitur në vendin e tretë, kurse kandidati i ekstremit të majtë Jean-Luc Melenchon ka siguruar 19.6 përqind. Ndërkohë, Benoit Hamon, kandidati i Partisë Socialiste e cila aktualisht ndodhet në qeveri, ka marrë 6.3 përqind të votave.
Macron dhe Le Pen, të cilët kanë marrë dy vendet e para në raundin e parë, do të garojnë në raundin e dytë që do të mbahet më 7 maj.
Për raundin e dytë, Macron ka marrë mbështetjen e shumicës së kandidatëve që garuan në raundin e parë. Macron shfaqet i pari në sondazhet në lidhje me raundin e dytë dhe pritet të fitojë 62 përqind të votave.
Shkalla e atyre që nuk kanë votuar ka qenë 21.8 përqind
Sipas rezultateve të Minstrisë së Brendshme, nga 46.891.594 votues sa gjenden në vend, 21.8 përqind nuk kanë dalë të votojnë.
Sipas të dhënave të ministrisë, numri dhe përqindja e votave të fituara nga 11 kandidatët nga numërimi i 97 përqind të votave është si në vijim:
- Emmanuel Macron: 8.528.585 - 23.86 përqind
- Marine Le Pen: 7.658.990 - 21.43 përqind
- François Fillon: 7.126.632 - 19.94 përqind
- Jean-Luc Melenchon: 7.011.856 - 19.62 përqind
- Benoit Hamon: 2.268.838 - 6.35 përqind
- Nicolas Dupont-Aignan: 1.689.686 - 4.73 përqind
- Jean Lassale: 433.996 - 1.21 përqind
- Philippe Poutou: 392.454 - 1.10 përqind
- François Asselineau: 329.951 - 0.92 përqind
- Nathalie Arthaud: 231.660 - 0.65 përqind
- Jacques Cheminade: 65.076 - 0.18 përqind.
Ndërkaq, bëhet e ditur se numërimi i votave nuk ka arritur në 100 përqind për shkak të kohëzgjatjes së numërimit të votave që do të vijnë nga territoret transoqeanike të Francës.
Pritet që rezultatet zyrtare të raundit të parë të shpallen nga Këshilli Kushtetues deri më 26 prill, ditën e mërkurë në ora 20:00.
Kandidati që do të fitojë në raundin e dytë, do të marrë detyrën nga presidenti aktual François Fillon deri më 14 maj.