Fatma Esma Arslan
01 Qershor 2016•Përditësim: 02 Qershor 2016
PARIS (AA) – Në kuadër të protestave kundër ligjit të ri të punës në Francë, krahas problemit me mungesën e benzinës i cili ende po vazhdon, janë organizuar edhe greva në sektorin e transportit publik, raporton Anadolu Agency (AA).
Që nga dita e djeshme në orët e natës, Transporti Hekurudhor Kombëtar i Francës (SNCF) ka hyrë në grevë. Si pasojë e grevës ka reduktime për 50 përqind në transportin mes qyteteve dhe në disa trena periferik.
Nga greva janë ndikuar edhe trenat që kryejnë udhëtime në Zvicër, Gjermani, Itali dhe Spanjë.
Philippe Martinez, sekretari i përgjithshëm i Konfederatës më të madhe të punëtorëve në Francë – CGT, dje në një program televiziv tha se këtë javë do të jetë greva më e madhe nga të gjitha grevat që kanë filluar prej tre muajsh kundër projekt-ligjit.
Duke filluar nga ora 3:00 ditën e nesërme, grevës do t’i bashkangjitet edhe kompania e transportit publik në Paris dhe rrethinë, RATP.
Pritet që grevat ta reduktojnë në gjysmë komunikacionin përmes transportit hekurudhor. Ndërkaq, mediat franceze grevën e komentojnë si “java e zezë në transportin publik".