Fatma Esma Arslan
13 Dhjetor 2015•Përditësim: 13 Dhjetor 2015
PARIS (AA) - Në Francë ka filluar raundi i dytë i zgjedhjeve rajonale, ku në raundin e parë kishte fituar e djathta ekstreme Fronti Kombëtar (FN), raporton Anadolu Agency (AA).
Në sondazhet e fundit publike para votimeve, aleanca e qendrës së djathtë e udhëhequr nga Republikanët, lideri i së cilës është ish-presidenti Nicolas Sarkozy është në vendin e parë të raundit të dytë.
Pritet që në rajonin verior Nord-Pas-de Calais Picardie ku është kandiduar liderja e FN-së, Marine Le Pen dhe rajonin jugor Paca të fitojë aleanca e qendrës së djathtë, ndërsa në Normandie dhe në rajonin Ile-de-France të kryeqytetit të Parisit parashikohet që Partia Socialiste dhe Republikanët të zhvillojnë një betejë zgjedhore ballë për ballë.
Sipas sondazheve, në rajonin jugor Languedoc-Roussillon-Midi-Pyrenees partia në pushtet do të fitojë me një dallim të madh.
Pasi që Fronti Kombëtar ishte bërë e para në 6 rajone në raundin e parë, Partia Socialiste ka marrë vendim për tërheqjen e listave të saj në tre rajone kundër kërcënimit të ekstremit të djathtë. Kryeministri francez Manuel Valls i kishte bërë thirrje elektoratit që të votojnë qendrën e djathtë, në rajonet ku partia e tij pati tërhequr listat.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme në raundin e parë Fronti Kombëtar (FN) fitoi 29.5 përqind, nga qendra e djathtë Republikanët, Unioni i Demokratëve dhe të Pavarurve me Lëvizjen Demokrate (MODEM) 27.4 përqind, Partia Socialiste në pushtet 22.7 përqind dhe Partia e Gjelbër Franceze (EELV) fitoi 6.6 përqind.
Në raundin e parë nga 44 milionë votues kanë votuar 22 milionë, 347 mijë vota ishin konsideruar si të pavlefshme. Përqindja e atyre që nuk kanë votuar në zgjedhje llogaritej në 49.91 përqind. Në zgjedhjet rajonale të vitit 2010 në Francë 53.6 përqind të votuesve të regjistruar nuk kanë votuar.
Në zgjedhjet të cilat konsiderohen si parapërgatitje të zgjedhjeve presidenciale të cilat do të mbahet në 2017, do të zgjedhen menaxhuesit e 13 rajoneve.