Bota

Franca paralajmëron Malin për angazhimin e mercenarëve rusë

"Nëse nënshkruhet, marrëveshja do të ishte jashtëzakonisht shqetësuese dhe kontradiktore", tha ministrja franceze e Mbrojtjes, Florence Parly

Ekip   | 15.09.2021
Franca paralajmëron Malin për angazhimin e mercenarëve rusë Foto: AA/Arkiv

Kigali

Ministrja franceze e Mbrojtjes, Florence Parly paralajmëroi Malin të martën kundër angazhimit të kompanisë private të sigurisë ruse Wagner, thanë mediat franceze, pasi disa raporte tregojnë se qeveria ushtarake e vendit afrikano-perëndimor është afër nënshkrimit të një marrëveshjeje për 1.000 mercenarë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në paraqitjen e saj para komisionit parlamentar, Parly tha nëse autoritetet maliane do të lidhnin një kontratë me Wagner, "kjo do të ishte jashtëzakonisht shqetësuese dhe kontradiktore".

"Është inkoherente me gjithçka që kemi bërë prej vitesh dhe kemi ndërmend të bëjmë për të mbështetur vendet e rajonit Sahel", tha ajo, sipas agjencisë franceze të lajmeve AFP.

Vërejtjet e saj erdhën disa ditë pasi Reuters raportoi se Grupit Wagner do t'i paguheshin rreth 6 miliardë franga CFA (10.8 milionë dollarë) në muaj për shërbimet e saj.

Megjithatë, zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes së Malit tha se qeveria ende nuk ka nënshkruar marrëveshje me Wagner. Ai nuk i mohoi diskutimet që po zhvillohen, thuhet në raport.

Në vitin 2013, Franca dërgoi trupa në Mali pasi shpërthyen trazirat në veri të vendit.

Por, marrëdhëniet midis të dy vendeve u përkeqësuan pas grusht shtetit në gusht 2020 në të cilat u rrëzua presidenti Ibrahim Boubacar Keita.

Franca pezulloi bashkëpunimin ushtarak me Malin në qershor ndërkaq presidenti francez Emmanuel Macron ka njoftuar se do të mbyllë bazat në veri të Malit dhe do të zvogëlojë praninë e trupave franceze në rajonin Sahel.

Ndikimi në rritje i kompanive paraushtarake dhe këshilltarëve rusë është vërejtur në Republikën e Afrikës Qendrore, duke shtuar shqetësimet e Francës.

Mercenarët e Grupit Wagner thuhet se janë gjithashtu të pranishëm në Libi, Sudan dhe Mozambik.

Mali është duke luftuar me një kryengritje të lidhur me Al-Kaedën dhe DEASH-in që nga viti 2012, kur filluan trazirat në veri të vendit.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın