Hajer M'tırı
06 Maj 2017•Përditësim: 06 Maj 2017
PARIS - Përgjegjësit e fushatës së kandidatit presidencial në Francë, Emmanuel Macron, thanë mbrëmë se në prag të votimit të së dielës, kandidati i tyre ka qenë cak i një hakimi masiv ku si rrjedhojë janë publikuar mijëra e-maile dhe dokumente elektronike të përziera me dokumente tjera të falsifikuara, raporton Anadolu Agency (AA).
Stafi i fushatës “En Marche!”, ose “Në Lëvizje” tha në një deklaratë se “dokumentet janë marrë disa javë më parë pasi paraprakisht janë hakuar e-mailat e disa liderëve të lëvizjes”.
“Lëvizja En Marche sonte ka qenë viktimë e një hakimi masiv të koordinuar mirë i cili ka përhapur në mediat sociale informacione të ndryshme të brendshme”, thonë nga lëvizja, nga ku shtojnë se dokumentet të cilat qarkullojnë në opinion kanë për qëllim të mbjellin dyshimin, ndërkohë që lëvizja e Macronit tërheq paralele me fushatën presidenciale në SHBA, në nëntor të vitit të kaluar.
Paralelja amerikane i referohej një letre që kreu i FBI-së i dërgoi Kongresit amerikan vetëm disa ditë para zgjedhjeve, ku thuhej se Byroja kishte hapur një hetim për të vërtetuar nëse Hillary Clinton keqpërdori e-mailet e klasifikuara derisa ishte Sekretare e Shtetit.
Dokumentet franceze u publikuan të premten vonë, vetëm disa orë para fillimit të heshtjes zgjedhore e cila është në fuqi deri në mbyllje të vendvotimeve në orën 18:00 të dielën.