Mustafa Deveci
07 Shtator 2022•Përditësim: 07 Shtator 2022
Forcat ruse në orët e natës goditën me 2 raketa qendrën e qytetit Kharkiv i cili është qyteti i dytë më i madh i Ukrainës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Teksa nuk janë shënuar të vdekur ose të plagosur, thuhet se janë shkaktuar dëme të rënda në një qendër biznesi.
Guvernatori i Administratës Ushtarake Rajonale të Kharkivit, Oleh Synyehubov, në një deklaratë me shkrim nga llogaria e tij në median sociale, tha se forcat ruse kanë hedhur 2 raketa në qendër të qytetit.
Synyehubov theksoi se një nga raketat ka goditur një qendër tregtare me dy kate, përfshirë edhe një lavazh automjetesh pranë, ndërsa raketa tjetër ka rënë në një rrugë pranë.
Duke informuar se janë shkaktuar dëme tek dyqanet dhe automjetet përreth, Synyehubov bëri të ditur se në sulm nuk ka të vdekur ose të plagosur.
Policia e Ukrainës ka kryer inspektime në vendin e ngjarjes në orët e para të mëngjesit.
Poashtu forcat ruse dje kryen 3 sulme të ndryshme kundër Kharkivit ndërsa në sulme humbi jetën një grua.
Kharkivi i cili ndodhet në një distancë rreth 45 kilometra nga kufiri i Rusisë shpesh herë bëhet objektiv i sulmeve të predhave dhe raketave të forcave ruse.
Për shkak të sulmeve, gjysma e popullatës së Kharkivit është larguar nga qyteti.