Bota

Forcat izraelite plagosin 10 palestinezë gjatë protestave në Bregun Perëndimor

Forcat izraelite për të shpërndarë protestat përdorën gaz lotsjellës dhe plumba plastikë, ndërkohë palestinezët u kundërpërgjigjën duke hedhur gurë

Esat Fırat  | 15.01.2021 - Përdıtësım : 16.01.2021
Forcat izraelite plagosin 10 palestinezë gjatë protestave në Bregun Perëndimor Foto: Issam Rimawi / AA

Kuds

Të paktën 10 palestinezë u plagosën dhe shumë të tjerë u prekën nga gazi lotsjellës si pasojë e ndërhyrjes së forcave izraelite në protestat kundër njësive të vendbanimeve të paligjshme hebreje dhe kundër murit të ndarjes (turpit) në Bregun Perëndimor nën okupim, transmeton Anadolu Agency (AA).

Palestinezët pas namazit të xhumasë zhvilluan protesta në rajone të ndryshme të Bregut Perëndimor, kryesisht në zonën Kefer Kaddum në lindje të qytetit Kalkiyah dhe në zonën Mugayyer të qytetit Ramallah për të protestuar kundër vendbanimeve të paligjshme hebreje dhe murin e ndarjes.

Forcat izraelite për të shpërndarë protestat përdorën gaz lotsjellës dhe plumba plastikë, ndërkohë palestinezët u kundërpërgjigjën duke hedhur gurë.

Sipas informacioneve të marra nga ekipet palestineze të Mbrojtjes civile, mësohet se 10 palestinezë u plagosën nga plumbat plastikë të ushtarëve izraelitë në ngjarjet e shënuara në zonën El-Mugayyer.

Gjithashtu dëshmitarët thanë se shumë palestinezë të tjerë janë prekur nga gazi i hedhur nga forcat izraelite.

Në Bregun Perëndimor që Izraeli ka pushtuar në vitin 1967 ndodhen mbi 250 njësi vendbanimesh të paligjshme hebreje. Mbi 600 mijë kolonë hebrenj që banojnë në këto zona e bëjnë edhe më të vështirë jetën e palestinezëve që jetojnë nën okupim.

Sipas ligjit ndërkombëtar, të gjitha vendbanimet kolone hebreje që ndodhen në territoret nën pushtim cilësohen të paligjshme.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.