Mustafa Deveci
18 Prill 2019•Përditësim: 18 Prill 2019
Së paku 19 palestinezë janë privuar nga liria gjatë bastisjes së mbrëmshme të cilën forcat izraelite të sigurisë e kryen në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe në Kudsin Lindor, raporton Anadolu Agency (AA).
Me qëllim të presionit dhe frikësimit shtesë të palestinezëve, forcat izraelite me muaj çdo mbrëmje kryejnë bastisje në vendbanimet e Bregut Perëndimor të pushtuar.
Burimet lokale theksojnë se në Kudsin Lindor janë arrestuar gjashtë, ndërsa në Bregun Perëndimor 13 palestinezë. Në mesin e të arrestuarve janë edhe dy të mitur dhe një grua.
Gjatë bastisjeve forcat izraelite arrestojnë palestinezë të cilët i ngarkojnë për përfshirje në aktivitete terroriste. Shumica e të arrestuarve kalojnë nga disa ditë në paraburgim.
Sipas të dhënave të Unionit të familjeve të të burgosurve palestinezë, forcat izraelite vitin e kaluar privuan nga liria së paku 1.600 palestinezë. Në raportin e organizatave thuhet se një e katërta e të arrestuarve janë të mitur, ndërsa në mesin e tyre edhe së paku 30 fëmijë të moshës nën 14 vjeç.
Sipas të dhënave të institucioneve palestineze, në burgjet izraelite momentalisht gjenden së paku 5.700 palestinezë, përfshirë shumë gra dhe të mitur.